Haradinaj shkarkon zëvendësministren e Drejtësisë Vesna Mikiq

25 Mars, 2019 - 1:31 pm

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj e ka shkarkuar sot zëvendësministren e Drejtësisë Vesna Mikiq, raporton KTV .

Shkarkimi ka ardhur një ditë pas Mikiq kishte thënë se “në ditën e sotme, para 20 vitesh ndaj një shteti sovran që një dekadë më herët luftoi kundër terrorizmit shqiptar në kuadër të kufijve të saj, është bërë qëllimisht gjenocid i planifikuar nga NATO”.

Lidhur me këtë shkarkim, kryeministri Haradinaj ka shkruar në Facebook:

Në Qeverinë dhe institucionet e Republikës së Kosovës, nuk kanë vend individët, pavarësisht përkatësisë etnike, që denigrojnë vlerat e përbashkëta euro-atlantike. Aq më tepër kur shteti i Kosovës është krijuar pikërisht në bazë të këtyre vlerave. Deklarata e zëvendësministres në Ministrinë e Drejtësisë, Vesna Mikiq, se bombardimet e NATO-s ishin gjenocid ndaj shtetit dhe popullit serb, janë të papranueshme dhe përkojnë me gjuhën e urrejtjes, që sanksionohen me Kushtetutë dhe ligj. Prandaj, sot kam liruar nga detyra zëvendësministren Mikiq.

Deklarimet e Vesna Mikiqit dje kanë shkaktuar shumë reagime.

Të ngjajshme