Historia e Urës së Tabakëve në Tiranë

15 Gusht, 2018 - 1:00 pm

Ura e Tabakëve është një monument kulture i ndërtuar në Tiranë në shekullin e XVII – XVIII-të. Ura ka një lartësi rreth 7 metër e gjysëm. Ura e Tabakëve, e cila e mori këtë emër për shkak të pozitës së veçantë të esnafit të Tabakëve në jetën ekonomike dhe shoqërore të Tiranës në shekujt XVII-XVIII, ka një strukturë të gurtë, të formuar me dy harqe dhe e shtruar me kalldrëm.

Ajo dallon për arkitekturën e saj harmonike, si dhe për shpërndarjen proporcionale të elementeve të saj. Ura përbëhet nga një hark kryesor, mbi të cilin ngrihet ura në formë kurrizi. Ky hark e ka hapësirën e dritës 8 metra dhe është ndërtuar me 2 rreshta harqesh anësore me trashësi 1 metër.

Lartësia nga niveli i ujit ishte 3,5 metra. Kalldrëmi i urës me gjerësi 2,5 metra, është ndërtuar me gurë lumi të vendosur pa ndonjë rregull. Në të dy anët e harkut kryesor janë ndërtuar 2 harqe në formë segmentesh rrethore me hapësirë të vogël

Me lindjen e Tiranës si qendër qytetare më 1614, u vu re një zhvillim i vrullshëm i zejtarisë dhe i tregtisë. E ndodhur në një pozicion të favorshëm gjeografik, në kryqëzimin e rrugëve të rëndësishme tregtare, Tirana fitoi vit pas këtij viti rëndësinë dhe tërhoqi vëmendjen e banorëve rreth saj, të cilët rritën popullimin e qytetit.

Përveç rrugës Egnatia, e përmendur në lashtësi e që kalonte në pjesën perëndimore të Tiranës së sotme, një aks tjetër i rëndsishëm ishte ai që lidhte Tiranën me malësinë e saj. Ajo quhej, e madje vazhdon të quhet, “Rruga e Shëngjergjit”.

Kjo rrugë kalonte në pjesën lindore të Tiranës, në Priskë të Madhe, Qafë Priskë, Domje, Shëngjergj, e më tej vazhdonte në Bizë, Martanesh, Zerqan e deri në Dibër të Madhe. Kjo rrugë ishte e rëndësishme pasi shërbente për lëvizjen nga këto krahina malore të karvaneve me prodhime blegtorale për të cilat këto zona dalloheshin.

Kope të tëra bagëtish, për shkak të dimrit të ashpër të malësisë lëviznin në zonat me klimë të butë të kodrinave e fushës së Tiranës. Një pjesë e mirë e këtyre bagëtive në hyrje të dimrit dhe pas shtimit të tyre në pranverë destinoheshin për treg. Banorë të ndryshëm u vendosën në periferi./ KultPlus.com

Të ngjajshme