Historianët e Deçanit: Të mos zbatohet vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit

29 Mars, 2021 - 10:27 pm

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës “Ali Hadri” dega në Deçan përmes një komunikate për media thotë se me shqetësim të madh është duke e përcjellë situatën rreth çështjes kontestuese në mes ndërmarrjeve “Apiko” dhe “Iliria” dhe Komunës së Deçanit në njërën anë dhe Manastirit të Deçanit në anën tjetër.

Historianët e Deçanit në reagim thonë se “dënojnë ashpër presionet ndërkombëtare për zbatimin e këtij vendimi antikushtetues dhe antiligjor, i cili buron në ligjet e kohës së Millosheviqit”.

Në një komunikatë për media, Lidhja e Historianëve të Kosovës i bën thirrje Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë, që të mos e zbatojë vendimin antikushtetues dhe antiligjor të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të datës 21 maj 2016, për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria” në Deçan, pasi që si i tillë ai prek gjithë qytetarët e Deçanit dhe është pengese për zhvillimin ekonomik të kësaj pjese të Kosovës.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për pronat dhe ndërmarrjet “Apiko” dhe “Iliria”, është i papranueshëm edhe për Komunën e Deçanit dhe qytetarët e kësaj komune, andaj ne e ripërsërisim edhe një here kërkesën tonë drejtuar Agjencisë Kadastrale të Kosovës në Prishtinë që të mos e zbatojë këtë vendim të dëmshëm dhe të pariparueshëm për Deçanin në veçanti dhe Kosovën në përgjithësi”, thuhet në komunikatë.

Për më tepër, Kryesia e Lidhjes së Historianëve thekson se zbatimi eventual i vendimit do të sjellë shumë dëme juridike dhe do të sfidojë rëndë sistemin kushtetuese dhe juridik në Kosovë, teksa rikujton se institucionet e Kosovës duhet të deklarohen kundër zbatimeve të vendime të kohës së masave të dhunshme të periudhës 1990-1999, kur dihet se këto vendime i ka shpallur të pa zbatueshme Administrata e Kombeve të Bashkuar në Kosovës – Misioni i UNMIK-ut.

Kryesia e Lidhjes se Historianëve të Kosovës i ri-kërkon Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës, që me urgjencë të nxjerrë një Ligj të veçantë ose Ligj special, me të cilin do t’i shpallë të pazbatuara dhe të pavlefshme ligjet, vendimet dhe aktet e tjera nën ligjore të Serbisë për Kosovën gjatë periudhës mars 1989 e deri në qershor 1999, duke vendosur që këto prona dhe ndërmarrje t’i kthehen Komunës së Deçanit dhe të mos i falen Manastirit të Deçanit.

Ndryshe, igumeni i Deçanit, Sava Janjiq, kishte dërguar në Kushtetuese dy vendime. Sipas këtyre vendimeve, pronat prej 24 hektarësh tokë që i ishin dhuruar Manastirit të Deçanit me një marrëveshje të Qeverisë së Serbisë dhe këtij manastiri në vitin 1997, lidheshin me ish-Agjencinë e Mirëbesimit dhe pasardhësen e saj Agjencinë Kosovare të Privatizimit.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës kishte aprovuar ankesën e Manastirit të Deçanit. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte përkrahur nga Dioçeza e Kishës Ortodokse Serbe për Rashkën dhe Prizrenin, duke vlerësuar se Gjykata ka treguar gatishmërinë dhe kompetencë për të marrë një “vendim të paanshëm ,me të cilin mbrohet e drejta në pronë e Manastirit”.

Udhëheqësit e Manastirit të Deçanit, i cili mbrohet nga UNESCO-ja, nuk kanë dhënë pëlqim as për vazhdimin e rrugës Deçan-Plavë, që lidh Kosovën me Malin e Zi. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme