Hyrie Hana: Kur më futën në burg, ia krisa këngës!

8 Mars, 2018 - 8:14 pm

Hyrie Hana njihet si grua që hoqi shumë nga UDB-ja serbe.

Një prej aktoreve të para të Teatrit Krahinor të Prishtinës, ajo kujton se rolet e saj ishin të mira por gjithçka binte nën hijen e regjimit asokohe, i cili edhe e dënoi dhe e burgosi. Ajo ishte edhe spikerja e parë e Radios së posapahur në Prizren, në vitin 1945 dhe më pas edhe në Radio Prishtinë, në vitin 1946.

Këtu, ajo kujton se si përfundoi në burg.

Nga Kujtimet: “Gjykimi im ishte caktuar për 12 tetor 1961, në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë. Një ditë para se të mbahej seanca, më sollën në burgun e Prishtinës. Po atë mbrëmje gardiani më zbriti në një dhomë gjysmë të errët ku ndodheshin hetuesit dhe im shoq, Aliu. Në prani të organeve të burgut, Aliu ma zgjati dorën, ndërsa unë e përqafova. Kisha rënë shumë nga shëndeti, prandaj edhe i thashë: Aq e dobët dukem, saqë nuk po më afrohesh? – Asnjëherë nuk je dukur më bukur se sonte! – ma ktheu Aliu. Nesër e ke gjykimin, më tha. – E di – ia ktheva. Nesër është dita e dasmës sime, prandaj, të lutem, ma sjell fustanin e kuq kadife dhe kostumin e zi – e porosita.
Në atë gjykim Hyria kishte rastin që publikisht ta akuzonte pushtetin aktual për të gjitha që kishte përjetuar dhe kishte parë për krimet e kryera nga serbo-malazezët menjëherë pas luftë, për vrasjen e të vëllait – Xheladinit, për dëbimin me dhunë të shqiptarëve në Turqi dhe shumë të zeza tjera…
Në sallën e Gjykimit ndodheshin e ëma, Gjija, i shoqi Aliu dhe motra, Sanija. Hyries, e cila nuk pranon asgjë, “në emër të popullit” i shqiptohet dënimi me pesë vjet burgim të rëndë. E ëma mbahet mirë, ndërsa së motrës i rrjedhin lotët. E kthejnë në burgun e Prishtinës, e cila tregon: “Posa hyra në korridorin e burgut, ia krisa këngës!”.

Burimi: Sanije Gashi – Ecje nëpër kujtesë

Të fundit

Të ngjajshme