займ на карту онлайн потребительский кредит

Ikona shqiptare e njohur për kompozimin e veçantë

26 Nëntor, 2020 - 2:19 pm

Vepra që i atribuohet Eftimi dhe Terpo Zopgrafit, titulluar “Darka mistike” ose “Darka e fundit”, daton në fundin e shekullit XVIII. Ikona është marrë nga ikonostasi i kishës “Lindja e Shën Mërisë” në fshatin Vokopolë të Beratit.

Në përshkrimin nga Qendra Muzeore Berat, thuhet se është një ndër ikonat e programit ikonografik të “Festave të mëdha” në liturgjinë kristiane.

“Teknika e përdorur është temperë mbi pano druri. Ikona shquhet për kompozimin e veçantë. Krishti në qendër, rrethohet nga 12 apostujt, të kompozuar në formë rrethi. Në të majtë të Jezuit dhe në plan të parë, Joani dhe Juda, pa aureolën e shenjtorëve, thyejnë simetrinë e kompozimit në formë rrethi. Tavolina është e rrumbullakët, tipike e stilit oriental. Edhe orenditë që plotësojnë skenën, janë po ashtu objekte të kulturës orientale. Ibriku, për shembull, ka pasur përdorim të gjerë në territorin ballkanas përgjatë dominimit otoman. Ky stil harmonizohet bukur, me subjektin e krishterë të “Darkës së fundit”. E gjithë skena përfshihet brenda arkitekturës trenefëshe të kishës. Emërtimi i ikonës është në greqisht” – bëhet me dije në materialin detajues.

Kjo vepër është ekspozuar në Munih të Gjermanisë, më 2001, si dhe në Ankona e Vicenza, Itali, më 2002.

Ikona “Darka mistike” ose “Darka e fundit” është pjesë e koleksionit të ekspozuar në muzeun e ikonografisë “Onufri”. Muzeu kombëtar “Onufri” në Berat, është përshtatur në ambientet e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në kala, prej 27 shkurtit të vitit 1986.

Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek. XVI.

Kisha është rindërtuar në vitin 1797, në lagjen “Kala”, ka qenë katedralja e qytetit.

Katedralja është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga objekte të përzgjedhura nga një fond prej më se 1 500 objektesh, që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, si dhe të qytetit të Beratit.

Ikonat janë punuar nga piktorë e ikonografë shqiptarë, që kanë krijuar në shekujt XIV – XX, si: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët (Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu) dhe të shumë piktorëve të tjerë anonimë. / Konica.al / KultPlus.com

Të ngjajshme