Imzot Dodë Gjergji ka ndezur qirinjë te varri i Nënës Terezë në Kalkutë, njërin nga qirinjtë do ta sjellë në Katedralen e Prishtinës

14 Nëntor, 2017 - 7:30 pm

Në ditën e tretë të shtegtimit të Imzot Dodë Gjergji në Kalkuta të Indisë, ipeshkvi kremtoi meshën tek varri i Shën Nënë Terezës, në bashkëmeshim me argjipeshkvin e Kalkutës, Imzot Thomas D’Sousa, në prani të motrës eprore të Misionareve të Dashurisë, m. María Prema Pierick, bashkësisë së motrave dhe laikëve vullnetarë, shkruan KultPlus.

Gjatë meshës me Bashkësinë e Misionareve të Dashurisë në Kalkuta, ipeshkvi shprehi kënaqësinë e tij që ka mundësi të kremtojë këtë meshë në këtë vend të shenjtë e plotë bekime. Ai në fjalën e tij e shpjegoi arsyen e shtegtimit dhe të pranisë në mesin e motrave të Shën Nënë Terezës:
“Jam këtu për të falënderuar Zotin për Nënë Terezën. Për të falënderuar Gonxhen tonë që pati guximin ta fillojë dhe t’i prijë një revolucioni të ri ndër ju, që është revolucioni i bamirësisë dhe i mëshirës.Në lutjen time këtu e kam edhe popullim tim, që është populli i Nënë Terezës, që kjo bijë dhe nënë e shenjtë të jetë në zemrat e secilit për t’u ba në ta dritë bamirësie dhe shkëndijë paqeje, për të cilat kemi nevojë në mesin tonë”, ka thënë ai.

Pasi kremtuan meshën e shenjtë bashkë me bashkësinë e motrave, njerëzve vullnetarë të pranishëm, Ipeshkvi Imzot Dodë Gjergji ndezi qirinj tek varri i Nënë Terezës dhe u ndal në lutje, bashkë me argjipeshkvin D’Sousa dhe Eproren e Misionareve të Dashurisë M. María Prema Pierick. Njërin nga këta qirinj të ndezur, do ta sjell ipeshkvi në Katedralen “Nëna Tereza”, në Prishtinë./KultPlus.com

Të ngjajshme