Istogu përkujton Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe në Uçë

31 Janar, 2019 - 4:30 pm

Zyrtarë komunal së bashku me dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot në fshatin Uçë për të përkujtuar Tre Dëshmorët e Shkollës Shqipe, që u vranë para 27 vitesh nga forcat policore serbe në mbrojtje të nxënësve shqiptarë që mbanin mësim në oda-shkolla, shkruan KultPlus.

Në nderim të veprimtarisë së tyre, sot shkolla e fshatit mbanë ketë emër. Ndryshe nga përvjetorët e tjerë, kur shkolla ka organizuar program artistik, këtë vit shkolla ishte e mbyllur për shkak të grevës në arsim që po vazhdon tash e disa javë.  Si reflektim i situatës në arsim, 27 vite para në kohë okupimi, ish-kryetar i Këshillit të Arsimit në Istog, Ferat Hajzeraj mbajti një fjalim para të pranishmëve përmes të cilit kërkoi nga shkolla e fshatit që  si nderim ndaj veprës së këtyre tre dëshmorëve ta ndërpresin sa më shpejtë grevën e t’i hapin dyert për nxënësit që t’i rikthehen mësimit.

31 Janari i vitit 1992 shënon një nga ditët më të zymta të fshatit Uçë të komunës së Istogut. Në orët e hershme të mëngjesit, banorët e fshatit dëgjuan krismat që vinin nga rruga gjarpërore e Uçës, ku mu aty mbetën të vrarë tre burra të këtij fshati, shkruan KultPlus.

Edhe në fshatin Uçë si në shumë shtëpi shqiptare, banorët kishin hapur dyert për të pritur nxënësit e mësimdhënësit e kësaj ane. Një grup i fëmijëve derisa po shkonin në njërën nga këto shtëpi, ishin ndalur nga policia serbe që po vinte nga drejtimi i kundërt prej nga këta nxënës ishin nisur. Fëmijët ishin ndalur e ishin pyetur për adresën se ku ishin nisur, derisa mundoheshin t’i fshihnin librat në trupin e tyre. Krejt kjo situatë ishte zhvilluar shumë pranë dyerve të shtëpive të familjes Hysenaj dhe Hoxhaj, të cilat shumë shpejt ishin njoftuar për ndeshjen e fëmijëve me forcat policore serbe.

I shpejtë kishte qenë reagimi i tre kryefamiljarëve të këtyre familjeve qe duarzbrazur ishin ngjitur me vrull për t’i mbrojtur nxënësit e këtij fshati, të cilët pak momente më tutje do të bëheshin dëshmitarë të vrasjes së këtyre tre burrave.

Muharrem Hysenaj e Bajram Hoxhaj nuk iu mbijetuan plumbave të armikut, derisa Muharrem Hysenaj pat vdekur në spitalin e Pejës,Bajram Hoxhaj jep frymën e fundit në fshatin e tij. Të plagosur do te mbeteshin dy vëllezërit Asllan e Hasan Hysenaj dhe djali Imer Hysenaj. Hasan Hysenaj do të vuaj torturat e plagëve edhe shtatëmbëdhjetë ditë te tjera derisa më pas, trupi i tij do të shtrihet pranë dy trupave të dëshmorëve të tjerë Muharrem Hysenaj dhe Bajram Hoxhajt.

Shumë shpejt fshatarët nga lagjet e ndryshme do të vijnë në vendin e ngjarjes, aty ku do të gjejnë trupat e vdekur të dy prej bashkëfshatarëve të tyre. Vrasësit e tyre ishin larguar me shpejtësi, për t’u kthyer me autoblinda e me armatime të shumta, tytat e të cilave po drejtoheshin dhe po mbanin në thumb masën e tubuar të fshatarëve. Me një shpejtësi të jashtëzakonshme lajmi do të depërtonte në terë Kosovën, për ta bërë kështu fshatin Uçë, një adresë për t’u bashkuar në një hap më tej për t’u përballur me armikun. Sot emri i këtyre tre dëshmorëve është përjetësuar në emrin e shkollës së këtij fshati. E në vendin ku pat ndodhur krimi, 26 vite më parë, sot ndodhet lapidari në formë të librit, që simbolizon rezistencën e atyre viteve e sakrificën e tre burrave të këtij fshati.

 Fëmijët e kësaj shkolle, çdo vit shënojnë ditën e shkollës në këtë datë, derisa thurin vargje këngësh e poezish për këta tre burra. Zyrtarët komunal, së bashku me mësimdhënësit, familjarët e fëmijët e kësaj shkolle, në çdo 31 janar dorëzojnë kurora lulesh, në nderim të veprës së tyre./ KultPlus.com

Të ngjajshme