Jashari tregon kush ishte i pari që shtiu drejt forcave serbe

28 Nëntor, 2018 - 10:40 pm

Shumë forca serbe kishin rrethuar lagjen e Jasharëve në Prekaz në mars të vitit 1998. Bekimi, nipi i heroit kombëtar, Adem Jashari, shpjegon në Rubikon të KTV-së se përveç rrethimit që i kishin bërë tërësisht lagjes, gjatë ditës, deri në orën 12, kishte pasur hapësirë që të dalin nga shtëpia.

Jasharët kishin vendosur, secili, i madh e i vogël të mos dilnin nga aty.

Ai tregon se ndonëse shumë të ri në moshë, vëllai i tij, Besimi dhe djali i dytë i Ademit, Fitimi, kishin qenë të parët që kishin hapur zjarrin në drejtim të serbëve.

“Nuk ka qenë e mundur të ndihmohet më shumë sepse sipas informacioneve, një natë më herët kanë ardhur mbi 15 mijë forca paramilitare dhe nga këta 15 mijë, 5 mijë e kishin rrethuar vetëm lagjen tonë, Jashari, kurse 10 mijë tjerë e kanë nxënë grykën e Llaushës dhe të gjitha pikat që të çojnë në Prekaz, luftë ka pas gjithandej por për të ardhur për t’i ndihmuar Adem Jasharit, për të ardhur për të vdekur po, por diçka më shumë jo… Kushërinjtë tregojnë se ditën e enjte, ditën e parë, deri në ora 12 ditës kanë mundur të dalin, i themi ne përpjetë lagjen, drejt Prekazit të Epërm por familja jonë nuk ka dashur të lëvizë askush. Bashkimi tregon që vëllai im, Besimi dhe djali Ademit i dyti, Fitimi, kanë qenë të parët që kanë shkrepur pushkën, kanë vënë zjarr”, ka treguar Bekim Jashari.

Bekim Jashari tregon çka kishte folur me Hamzën pak ditë para sulmit nga serbët

Bekim Jashari në vazhdim të rrëfimit të tij ka kujtuar edhe bisedën telefonike që pati me babanë e tij, Hamëz Jashari, pak ditë para sulmit të forcave serbe ndaj familjes së tyre, në fillim të marsit 1998.

Ai ka treguar se kishin biseduar pak ditë pas sulmeve në Likoshan e Qirez, në fund të muajit shkurt. Në Rubikon të KTV-së, Bekim Jashari ka thënë se babai i tij, Hamza i kishte thënë se lufta e tyre s’ka kthim prapa dhe e gjithë bota do të marrë vesh për ta.

“Kur ka ndodh sulmi në Likoshan dhe Qirez, dy ditë pas atij sulmi kam folur me babën tim, Hamzën në telefon gjysmë ore, ishte mërzitur shumë, kishte parë masakër të madhe. E pyeta se çka i keni hallet bre babush, babush i kam thënë, gjyshit i kemi thënë babë, e atij babush, secili fëmijë. I thashë çka i keni hallet bre babë, më tha, tutna shpejt ka me ndodh. Më tha ‘a të kujtohet kur tregonim çka ka thënë Tahir Meha… që kur të vdes unë, kanë për të shkruar shtatë gazeta. Eh, tha kur të ndodh te na, ka me marrë vesh krejt bota, kthim prapa nuk ka’”, ka rrëfyer Bekim Jashari.

“Dhimbja ishte shumë e madhe po ata kanë shkuar me vetëdije, nuk ka ndodhur rastësisht, me një fjalë, kanë ra kurban për këtë vend, apo siç është ajo thënia, dikush duhet të nis vallen që të bashkëngjiten tjerët”, ka shtuar ai.

Rrëfimi i Bekim Jasharit: Gjyshi i kishte lutur gratë e fëmijët të largoheshin nga shtëpia

Për Adem Jasharin, luftën dhe flijimin që ai bëri, kishte ndër vite opinione nga më të ndryshme. Madje pati kritika pse fëmijët dhe gratë nuk ishin larguar nga shtëpia në Prekaz, që të shpëtonin nga sulmet e Serbisë.

Në ditëlindjen e tij, nipi i Adem Jasharit, Bekimi, tash kryetar i Skenderajt, shpalosi rrëfimin ekskluziv në Rubikon të KTV-së.

Duke kujtuar ditët kur në atë zonë veçse shpërtheu lufta, Jashari përmend faktin se pse të paktën asnjë nga fëmijët nuk u larguan përkohësisht.

“Nuk ka dashur asnjë fëmijë që të largohet nga shtëpia. Ka fakte e njerëz të gjallë, disa vdiqën pas luftës, që ishin shokë të gjyshit Shaban, nga Llapi, Dukagjini, Anamorava, që kanë shkuar me gjyshin. Ata vetë kanë treguar se si ato ditë, pas 22 janarit, që kanë shkuar te fëmijët e te gratë, dhe u kanë thënë të largohen. Gjyshi vetë ka shkuar me ta dhe është munduar që t’ua bëjë sa më joshëse duke u thënë se atje ka lodra e është më mirë”, ka thënë Bekim Jashari./KultPlus.com

Të ngjajshme