Jeta kulturore në Shqipëri, numri i spektatorëve në rënie

2 Gusht, 2018 - 4:30 pm

Numri i spektatorëve që kanë marrë pjesë në shfaqjet kulturore në vend gjatë periudhës Prill-Qershor është 49.678, duke pësuar rënie me 8,2 %, në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Të dhënat vijnë nga Instituti i Statistikave, i cili pohon këtë ulje të pjesëmarrjes, pavarësisht rritjes së numrit të shfaqjeve.

Gjatë tremujorit të dytë numri i shfaqjeve kulturore ka shkuar në 279 duke pësuar në këtë mënyrë një rritje me 28.6% krahasuar me tremujorin e vitit të kaluar.

Teatri Kombëtar Eksperimental është institucioni që ka realizuar numrin më të lartë të shfaqjeve kulturore, 119 shfaqje dhe ekspozita e ndjekur nga Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë me 75 shfaqje/ ekspozita duke shënuar rritje me 31.6%.

Numri mesatar i spektatorëve në Teatrin Kombëtar Eksperimental, gjatë tremujorit të dytë 2018, është 124 spektatorë/vizitorë për shfaqje me një rënie prej 13,9 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Megjithatë ky institucion regjistroi 14.702 spektatorë, rreth 3700 më shumë se një vit më parë.

Numri i spektatorëve u rrit edhe në Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, duke arritur në 8.274. Ndërkohë, Teatri Kombëtar regjistroi gati 4 mijë spektatorë më pak, ndërsa Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit pati një rënie prej 6 mijë spektatorësh./ dita

Të ngjajshme