Juniku përfshin nën mbrojtje disa kulla të moçme

19 Prill, 2018 - 9:00 am

Në mbledhjen e radhës të Këshillit të Qeverisë Komunale të Junikut është vendosur që të hyjnë në objektet e mbrojtjes së trashëgimisë historike dhjetëra kulla, në mesin e të cilave janë: Kulla e Brahim Sadikut – Krreku, Ali Bajraktarit, Avdullah Salihit si dhe Kulla e Sali Islamve – pinjoll i së cilës është boksieri i mirënjohur junikas, Luan Krasniqi.

“Qeveria Komunale e Junikut mbetet e përkushtuar që sa më parë të fillojë me konservimin dhe restaurimin e këtyre objekteve të trashëgimisë kulturore dhe historike, qoftë nga buxheti komunal, nga përkrahja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit apo nga donatorë të ndryshëm. Kullat e Junikut si simbol i qëndresës e bashkimit ndër shekuj kanë pasur rol kyç në çështjet kombëtare, ndaj si të tilla me krenari do të ruhen dhe trajtohen si vlerë e shtuar e trashëgimisë së larmishme që ka Juniku”, është thënë në njoftimin e komunës së Junikut./KultPlus.com

Të ngjajshme