Kafiteria e prishtinasit Arbër Rozhaja bëhet e famshme në Angli

11 Dhjetor, 2018 - 7:53 pm

Një natë pasi disa grabitës i kishin hyrë në lokalin e tij pasi ishte mbyllur, duke kërkuar para kesh, Arbër Rozhaja, pronari i kafiterisë Crown & Anchor në Londër, filloi të mendonte për një mënyrë se si mund të shmangte një gjë të tillë që të ndodhte sërish.

Pas një analize të shkurtër të pazarit të ditës, Rozhaja kishte mbetur i habitur nga rezultati kur pa se 10-13% të pagesave, ishin bërë me para kesh, ndërsa pjesa tjetër ishin të gjitha të bëra me kartela, transmeton Ndërtimi.info.

Kështu kjo kafiteri, që nga muaji tetor i këtij viti, funksionon vetëm përmes pagesave me kartelë. Të gjithë konsumatorët mund të paguajnë me debit ose kredit kartelë apo përmes aplikacioneve si Android Pay dhe Apple Pay që mundësojnë kryerjen e pagesave online.

“Na falni, por është një epokë dixhitale”, thuhet në një njoftim të varur në mur, i cili u tregon konsumatorëve për mënyrën e re të pagesës.

Kjo gjë nuk është pritur keq nga ta, megjithëse ka pasur disa të cilët kishin ankesa. Por, kjo gjë i ka sjellë edhe disa benefite të tjera biznesit. Tashmë punëtorët nuk do të kenë nevojë që të numërojnë centë të panumërt në fund të orarit, madje as menaxherët nuk do të kenë nevojë që të udhëtojnë përgjatë qytetit me çantën plotë me para për t’i dërguar në bankë.

Ndërkaq për njerëzit të cilët nuk kanë kredit kartelë apo të ardhura, Rozhaja thotë se nuk është fare problem, ngase është shumë e lehtë që të marrin “prepaid cash card” online, e sidomos në Londër. Kjo kartelë me parapagim ju lejon të ngarkoni para në to dhe të shpenzoni kudo./KultPlus.com

Të ngjajshme