Kalaja e Beratit, destinacion i përhershëm turistik edhe në pandemi

4 Janar, 2021 - 10:29 am

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, gjatë 2020 tërhoqi sërish një numër të lartë vizitorësh vendas e të huaj.

Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare Berat, Eugen Kallfani tha sot për ATSH-në se “që prej janarit deri në dhjetor  kalaja e Beratit u vizitua nga 24.050 vizitorëve nga të cilët  4891 ishin të huaj”.

Sipas tij, këto janë shifra goxha më të ulëta në krahasim me vitet e tjera.

“Për vitin 2020 situata e pandemisë së COVID-19 ka bërë që vizitorët të jenë shumë herë më pak se vitet e kaluara dhe përgjithësisht të jenë vizitorë ditorë, por gjithsesi në krahasim me sitet e trashëgimisë dhe kalatë e tjera, kalaja e Beratit ka pasur një frekuentim më të madh”, – theksoi Kallfani.

Drejtori Kallfani u shpreh se “shpresojmë që në 2020 të kemi sërish një numër të lartë turistësh nga e gjithë bota, që të vizitojnë Beratin dhe monumentet kulturore të tij, ku në pjesën më të madhe kemi kryer edhe restaurime të rëndësishme”.

Në të gjithë qarkun e Beratit numërohen rreth 486 monumente kulture dhe kjo ka një impakt të jashtëzakonshëm, sidomos në rritjen e fluksit të turizmit kulturor sidomos vitet e fundit.

Kalaja e Beratit është një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, një fortesë e madhe që sundon mbi lumin Osum. Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë. /atsh/ KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme