Kalaja e Beratit e ndriçuar si kurrë më parë, rifiton madhështinë (FOTO)

12 Janar, 2021 - 10:00 pm

Kalaja e Beratit, një nga monumentet më të mëdha historike të Ballkanit, është ndriçuar sot duke rifituar madhështinë që ka ky monument nën mbrojtjen e UNESCO-s.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, publikoi sot disa fotografi me pamje nga kalaja e Beratit, nën efektin e ndriçimit të ri që nxjerrin më në pah madhështinë e saj në orët e mbrëmjes.

“Kalaja e Beratit e ndriçuar si kurrë më parë, ka rifituar madhështinë që ka ky monument nën mbrojtjen e UNESCO-s. Falë projektit të ndriçimit, ‘qyteti i një mbi një dritareve’, sot duket edhe më i bukur dhe në pritje të më shumë vizitorëve”, tha Margariti.

Kalaja është ngritur sipas një plani në formë trekëndëshi. Kjo kala, po të shihet nga poshtë, duket si pjesë e kodrës.

Kulla e hyrjes së brendshme është e bërë nga blloqe guri, që u përkasin fortifikimeve ilire, të cilat janë ndërtuar në shekujt IV-II para Krishtit. Maja e kodrës është e rrethuar me një mur të jashtëm periferik me 24 kulla. Në brendësi të kësaj kalaje ndodhen rreth 14 kisha, të cilat e kanë bërë mjaft të dëgjuar atë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme