9 Shtator, 2025 - 2:55 pm
Ministri në detyrë i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka njoftuar se në Kalanë e Kastërcit në Suharekë po zhvillohen gërmime arkeologjike për dokumentimin e plotë të bazilikës paleokristiane, shkruan KultPlus.
Këto gërmime janë nën drejtimin e argeologut Berat Ademi nga Instituti Arkeologjik i Kosovës.
Kalaja e Kastërcit konsiderohet një prej dëshmive më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në Kosovë.
Hajrulla Çeku përmes rrjetit social shprehet se çfarë dëshmie përmbajnë gërmimet e gjetura ku thotë;
“Fragmente qeramike, xhami, afreska dhe tjegulla me mbishkrim dëshmojnë se bazilika është ndërtuar në fillim të shekullit VI. Pas shkatërrimit nga dyndjet sllave, ajo u shndërrua në hapësirë varrimi, ku janë identifikuar rreth 80 varre.”
Ruajtja e këtij thesari arkeologjik ka për qëllim krijimin e një destinacioni tërheqës për vizitorët.
Çeku shprehet;
Krahas gërmimeve, në kompleksin e objekteve po zhvillohen edhe punime konservuese e restauruese, për të ruajtur këtë trashëgimi të rrallë dhe për ta kthyer në vlerë për turizmin kulturor./ KultPlus.com