7 Gusht, 2025 - 1:35 pm
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore në Gjirokastër ka ndarë së fundmi pamje të veçanta nga Kalaja e Palokastrës, një monument kulture i kategorisë I, i vendosur në fshatin Palokastër, në qarkun e Gjirokastrës, brenda Njësisë Administrative “Cepo”.
Kjo kështjellë ndodhet në një terren të sheshtë, pikërisht aty ku bashkohen lumi Drinos dhe Belica, degë e lumit të Kardhiqit. Sipas studimeve arkeologjike, ndërtimi i saj daton në periudhën e shekujve IV-VI.
Kështjella ka një formë trapezore të rregullt, me një sipërfaqe prej 0.915 hektarësh. Baza e saj përshkon 113.5 metra, ndërsa brinjët anësore masin 92.5 metra dhe ajo e sipërme 90.5 metra. Struktura mbrojtëse përforcohet nga 14 kulla: katrore në anët lindore, në formë patkoi në pjesën veriperëndimore dhe rrethore në juglindje.
Sipas analizave të bëra mbi strukturat e mureve, kullave dhe hyrjeve, janë identifikuar tri faza ndërtimi të kështjellës. Gjatë gërmimeve arkeologjike në bazilikën e zbuluar brenda saj, nën dysheme janë gjetur gjurmë të mureve dhe kapanoneve që dikur shërbenin si strehim për ushtarët.
Këto ambiente kanë një gjerësi prej rreth 11 metrash dhe janë ndarë gjatësisht në dy pjesë, të cilat më pas ndaheshin në dhoma më të vogla me përmasa 5×5 metra. Ato komunikonin përmes rrugëve të vendosura në lindje dhe perëndim. Përveç kapanoneve, brenda kalasë është zbuluar një bazilikë, ndërsa jashtë saj një kishë me një nef.
Hyrja kryesore e fortifikuar me dy kulla ndodhet në pjesën perëndimore të kalasë. Gjithashtu, janë identifikuar edhe dy hyrje të vogla sekondare, një në anën lindore dhe një tjetër në atë veriore, të cilat shërbenin për lëvizje më të shpejtë dhe komunikim të drejtpërdrejtë me pjesët përreth.
Gërmimet kanë zbuluar gjithsej 18 varre. Nga gjurmët e ruajtura, duket se ambientet brenda kullave ishin shtruar me pllaka guri dhe kishin ndarje të brendshme me dysheme druri që shërbenin si kate të sipërme. Brenda tyre ndodheshin shkallë që lidhnin katet, ndërsa mungesa e rampave guri sugjeron se ato kanë qenë prej druri./KultPlus.com