Kalaja e Tiranës, trashëgimia historike si atraksioni më i ri turistik

21 Janar, 2019 - 8:49 pm

Kryeqyteti tashmë ka një atraksion të ri kulturor, Kalanë e Tiranës. Të pyetur nga Agjencia Telegrafike Shqiptare banorë të Tiranës thanë se vendi ynë mund të konkurrojë me çdo shtet tjetër në botë me këtë trashëgimi historike.

“Ne kemi parë shumë vende të bukura edhe jashtë Shqipërisë, por i thashë gocës, ne mund të krahasohemi me çdo shtet tjetër me këtë bukuri. Ky vend me krijoi një nostalgji të bukur. Identiteti i Tiranës ka humbur ndër vite dhe vende si ky janë shumë të dobishme për të ruajtur historinë dhe kulturën e Tiranës”, tha një banore e Tiranës ndërsa vizitonte Kalanë e Tiranës.

Dy banore autoktone të Tiranës thanë se përjetuan emocione të veçanta ndërsa vizituan Kalanë e Tiranës, atraksionin kulturor më të ri në kryeqytet.

“Kalaja është shumë bukur, ne jemi tirons me origjinë. Ishte shumë kënaqësi ta vizitoje, kjo është hera e parë që vij. Më ka lënë një përshtypje të jashtëzakonshme, shumë të mirë. Çdo gjë është shumë origjinale, autoktone. I përgëzoj ata që e kanë ideuar dhe e kanë realizuar këtë projekt”, tha njëra prej tyre.

“Mua më pëlqeu shumë pjesa e qeramikës. Unë kam qenë zanatçie vetë. Punimet ishin shumë të bukura, me lule dhe dekorime të tjera vërtet të veçanta. Por edhe shumë gjëra të tjera shumë të mira, hapësira, por dhe shtëpia e ndërtuar aq bukur, më la një mbresë të bukur”, shtoi ajo.

“Unë kam luajtur në këtë zonë, ne banojmë këtu afër te Pazari i Ri, përjetova shumë kujtime, shumë nostalgji”.

Ndërkohë përfaqësuesi i një agjencie turistike tha se qytetarët largohen nga Kalaja e Tiranës me përshtypjet më të mira.

“Ne jemi një agjenci turesh, presim vizitorët e huaj, por dhe vendas. Ka pasur interes nga turistët e huaj, por besoj në verë kur të rriten temperaturat pritet të ketë më shumë vizitorë”, tha ai.

“Kalaja hapet rreth orës 8 të mëngjesit dhe qëndron hapur deri në mbrëmje vonë, kur largohen qytetarët. Ky është një atraksion modern. Turistët gjejnë diçka që nuk e presin kurrë. Kam parë që vizitorët bëjnë komente të mira”, përfundoi ai.

Të ngjajshme