“Kampi me të rinj nga Diaspora”, ku tradicionalja gërshetohet me modernen

20 Gusht, 2019 - 8:20 pm

Tradita dhe kultura e kombit shqiptar, ka qenë ajo që gjithmonë na ka veçuar në raport me vendet tjera në ballkan. Duke pasur një traditë e një kulturë të veçantë, e cila ka qëndruar e fortë ndër shekuj, për të cilët historia i njeh vetëm si shekuj lufte e sakrificë, na ka bërë kjo që jemi sot, një popull që kulturën e mbi të gjitha traditën mundohemi ta ruajmë me fanatizëm, shkruan KultPlus.

Këtë vit, me po këtë motiv, siç është ruajtja e traditës dhe kulturës sonë, Muzeu Kombëtar i Kosovës, për herë të parë ka organizuar “Kampi me të rinj nga Diaspora”, përmes të cilit të rinjve u janë ofruar aktivitete të ndryshme, aktivitete këto të lidhura ngushtë me trashëgiminë kulturore në Kosovë.

Pjesë e këtij edicioni ishin mbi 30 pjesëmarrës, nga Kosova dhe Diaspora, të grupmoshave 16-24, me aktivitete që zgjatën për katër ditë radhazi. Pjesëmarrësit, sipas organizatorit Fatmir Hoxha, u ndanë mjaft të kënaqur me eksperiencën e fituar gjatë kësaj periudhe të shkurtë por shumë të dobishme. Aktivitetet kryesisht kanë zënë vend në Prishtinë, duke filluar Muzeu Kombëtar, përmes të cilit promovohej trashëgimia kulturore e popullit tonë, duke vazhduar më pas me ekspozita, lojëra të ndryshme, me ngjitje në murin Aplin që gjendet në Parkun Nacional të Gërmisë etj. Pastaj, të rinjtë kanë pasur mundësinë, që sikur edhe në kohët e mëhershme të mësonin orientimin në natyrë, ashtu siç e kanë mësuar edhe të parët tanë.

Për KultPlus, Fatmir Hoxha organizatori i këtij edicioni deklaroi të jetë shumë i kënaqur nga organizimi dhe realizimi i këtij eventi, poashtu edhe nga interesimi i të rinjëve, duke u shprehur mjaft optomist edhe për rritjen e pjesëmarrësve në vitet në vazhdim.

”Qëllimi i këtij kampi, ka qenë ruajtja e traditës, pasiqë të rinjtë kanë filluar të harrojnë. Ne jemi munduar që sa më shumë, duke provuar mënyra atraktive, të i informojmë rreth trashëgimisë sonë kulture”, u shpreh ai.
Në kuadër të këtij edicioni është krijuar edhe grupi ”Miqtë e muzeut”, grup ky i cili, duke filluar nga viti tjetë do të filloj të merret edhe me aktivitete humanitare.
“Kampi me të rinj nga Diaspora”, është financuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./KultPlus.com

Të ngjajshme