Këto janë gratë e guximshme të botës, në mesin e tyre edhe Feride Rushiti

22 Mars, 2018 - 8:12 pm

Feride Rushiti është në mesin e grave që Shteti Amerikan i nderon këtë vit me Çmimin “Gratë e Guximshme”.

Kjo fotografi e tregon Feriden bashkë me fitueset tjera për këtë vit, të këtij çmimi në të cilin nominohen gra të suksesshme nga çdo cep i botës, dhe të cilat me guximin e insistimin e tyre kanë ndryshuar jetë njerëzish dhe mentalitet e mendësi në ambientin ku punojnë.

Feridja është drejtoreshë e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Dhunës. Një doktoreshë, ajo në vitin 1999 gjatë konfliktit dhe luftës në Kosovë ndihmoi në shërimin e civilëve të lënduar.

Feride Rushiti ka luajtur dhe luan edhe sot një rol të rëndësishëm në kuadrin ligjor të Kosovës për të mbrojtur dhe rehabilituar të burgosurit, duke avokuar suksesshëm edhe në monitorimin e pavarur të objekteve të paraburgimit.

Mbi të gjitha, angazhimi i saj kryesor ka qenë dhe mbetet ai me gratë e dhunuara gjatë luftës së fundit në Kosovë, një kauzë në të cilën Feride Rushiti ka dhënë maksimumin e angazhimit të saj në këto dy dekada.
Pos saj, janë edhe gra të tjera që marrin këtë çmim këtë vit, shkruan KultPlus.

Elena Berini nga Italia, shembull, për disa vite ka përjetuar tmerrin në Afrikë ku edhe ka ndihmuar në kohën e regjimit të viteve 70-të.

Roya Sadat nga Afganistani është një grua e fortë e cila me anë të dokumentarëve dhe filmave ka dokumentuar padrejtësitë dhe mizoritë nëpër të cilat kalon një grua afgane. Godelieve Mukasarasi nga Ruanda është një grua që luan rol të madh në procesin e paqes në Ruandë, një vend ku pati luftë dhe dhunime të tmerrshme të grave të pafajshme.

Të gjitha gratë do të dalin në ceremoni me datë 23 mars, ku do të jetë e pranishme edhe Melania Trump – Zonja e parë e Amerikës. / KultPlus.com

Të ngjajshme