Këto janë nëntë marrëveshjet të firmosura nga Kosova dhe Shqipëria

26 Nëntor, 2018 - 12:36 pm

Kosova dhe Shqipëria kanë firmosur nëntë marrëveshje pas mbledhjes së përbashkët të dy Qeverive.

Në Pejë, u nënshkrua Marrëveshja për heqjen e çmimeve të shërbimeve Roaming për rrjetet publike të komunikimeve të lëvizshme ndërmjet ministrive përgjegjëse për fushën e komunikimeve elektronike.

Atje u firmos edhe protokolli për kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit doganor në pikën e përbashkët të kalimit kufitar Morinë-Vërmicë në mes të Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë të Shqipërisë.

Marrëveshje bashkëpunimi do të ketë edhe në fushën e borxhit publik, financimeve të huaja, dhe marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare.

Ujdi u nënshkrua edhe ndërmjet Agjencisë për Pronësinë Industriale të Kosovës dhe Drejtorisë së Përgjithshme të pronësisë industriale të Shqipërisë.

Dy qeveritë kanë nënshkruar edhe Protokollin për ndërmjet Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë dhe Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural të Kosovës për njohjen bilaterale dhe unifikimin e modeleve të certifikatave shëndetësore, veterinare dhe fitosanitare që do të shoqërojnë ngarkesat e kafshëve të gjalla, produkteve me origjinë shtazore dhe produktet bimore gjatë importit, eksportit dhe transitit midis Shqipërisë dhe Kosovës.

Marrëveshje për bashkëpunim do të ketë edhe në fushën e rinisë si dhe për bashkëpunimin, nxitjen e biznesit dhe informimin e diasporës.

Ministria e Shëndetësisë së Kosovës dhe ajo e Shqipërisë po ashtu kanë nënshkruar Marrëveshjen e bashkëpunimit në fushën e shëndetësisë.

Të ngjajshme