займ на карту онлайн потребительский кредит

Kisha e Engjëjve, thesari i fshehur në liqenin e Prespës

29 Prill, 2019 - 12:00 pm

Kisha eremite e Engjëjve është një tjetër thesar i liqenit të Prespës. Për të vizituar këtë kishë e vetmja rrugë është ajo përmes liqenit me varkë.

Udhëtimi drejt kësaj kishe është i mrekullueshëm ku përmes liqenit ke mundësi të shijosh peizazhin mahnitës që ky vend ofron e ku natyra gjatë kësaj periudhe nuk i ka kursyer ngjyrat e saj.

Itinerari drejt kishës nis nga fshati Pustec, një udhëtim me varkë prej 30 minutash ku liqeni të shoqëron me madhështinë dhe ujërat e tij të kristalta.

Malet dhe brigjet me shkëmbinj të thepisur që rrethojnë këtë liqen te japin ndjesinë e një bukurie të egër e cila pasqyrohet dhe zbutet nën qetësinë e liqenit.

Gjatë këtij rrugëtim pelikanët kaçurrel të urojnë mirëseardhjen ku duket se të përshëndesin kur bëjnë lojën e tyre lozonjare në ujërat e kristalta të liqenit.

Teksa i afrohesh  bregut të liqenit të Prespës në anën e malit Kallogjer në juglindje të fshatit Pustec shfaqet madhështore kisha eremite e Engjëjve. Gjëja e parë që të bën përshtypje të kjo kishë është pozicioni i saj mjaft i veçantë në të cilin ndërthuret uji, qielli dhe madhështia e besimit.

Gjithashtu një tjetër e veçantë e kësaj kishe para se ta prekësh nga afër është ikona e Marisë me të birin Jezus e cila me ngjyrat e saj të forta ku dominon e kuqja duket si mrekulli dhe të jep ndjesinë mistike teksa ndriçohet nga rrezet e diellit.

Kisha e Engjëjve e shek të XIV përbëhet nga dy kate ku për të arritur drejt ikonave dhe brendësisë së saj të çojnë disa shkallë hekuri. Kjo kishë duket si një pikturë pasi është në brendësi të shkëmbinjve në liqenin e Prespës dhe pjesa e sipërme e kësaj kishe ku ndodhet dhe ikona e Marisë gjendet në 30 metra lartësi.

Teksa ngjitesh përmes shkallëve të hekurta për në brendësi të kishës peizazhi përreth duket sikur ka ndalur në kohë e të jep idenë e kohëve më parë kur murgjit përshkonin në këmbë vendet e kultit.

Në pjesën e poshtme të kishës ndodhej qelia ku kishte jetuar një murg, ndërsa pjesa e sipërme ku ndodhet dhe ikona e Marisë ka në brendësi piktura murale të cilat kanë të gdhendura dhe iniciale nga banorët e zonës që e shohin këtë kishë si vend pelegrinazhi dhe mrekullish. Afresket në brendësi të kësaj kishe janë tipike të shek të XIV pra të periudhës bizantine.

Dritaret e kishës të cilat kishin pamje përballë liqenit janë i vetmi burim drite ku mund të shikosh afresket që ndodhen në brendësi. Teksa largohesh nga kjo kishë për t’u nisur drejt fshatit Pustec, gjithçka mbetet është një ndjesi qetësie dhe paqeje. /j.p/ KultPlus.com

Të ngjajshme