1 Maj, 2025 - 11:00 am
Një nga atraksionet kulturore të Zagorisë është Kisha e Manastirit të “Shën Mëhillit” në Nivan të Zagorisë.
Kisha është ndërtuar në vitin 1702 dhe është shpallur Monument Kulture, Kategoria I.
Ajo përbëhet nga naosi, ambienti i altarit dhe narteksi. Narteksi në anën perëndimore është shtuar më vonë. Ai mbulohet me çati me strukturë të drunjtë.
Hyrja për në narteks bëhet nga porta në anën perëndimore. Ajo është e mbuluar me arkitra të rrafshtë, mbi të cilin në një kamare ruhen datat 1777 dhe 1889. Data e parë është ajo e ndërtimit të narteksit, e dyta e ndonjë rindërtimi të mundshëm.
Dy dritare të ngushta si frëngji janë në të dy anët e portës, një tjetër në murin verior, ndërsa një kamare në atë jugor. Nëpër narteks me një portë në murin perëndimor të kishës kalohet në naos, në brendësi të të cilit janë gjashtë kolona të vendosura në dy rreshta që e ndajnë kishën në tre nefe.
Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri me dije se specialistët e saj sapo kanë ndërhyrë për restaurimin e çatisë së kësaj kishe, e cila tërheq vëmendjen e vizitorëve nga brenda e jashtë vendit./ KultPlus.com