Kisha e Shën Mëri Vllahernës në lagjen “Kala”, nga më të vjetrat e Beratit

2 Dhjetor, 2023 - 10:30 am

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Berat ndau në rrjetet sociale një foto nga Kisha e Shën Mëri Vllahernës e veshur në afresk. Ishte Nikolla Onufri ai që e pikturoi këtë kishë, në vitin 1578.

Pikturat paraqesin portrete të profetëve dhe skena ungjillore. Kisha është shpallur Monument Kulture i kategorisë së parë dhe gjendet në lagjen “Kala”, në Berat.
Kisha e Shën Mëri Vllahernës daton në shek XIII-XIV dhe është një nga kishat më të vjetra të ndërtuara në qytetin e Beratit. Kisha ka një oborr ku mendohet të ketë ekzistuar një manastir i hershëm i shek. V dhe VI.

Ajo është e tipit kryq i brendashkruar dhe e ndërtuar me teknikën klausonazh (gur i rrethuar me tulla), karakteristikë për kishat Bizantine të shek. XIII-XIV.

Rindërtimi i kishës i përket shekullit të XVI. Nën dyshemenë e kishës ndodhet një sternë e cila mendohet të jetë rindërtuar më herët. Dyshemeja është e dekoruar me mozaik.

Mendohet se origjina e emrit vjen nga pallati i Vllahernës në Kostandinopojë. / KultPlus.com

Të ngjajshme