Komuna e Prishtinës hapë tenderin për konservimin e Shkollës së Parë Shqipe në Prishtinë

12 Qershor, 2018 - 2:02 pm

Drejtori i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës-Yll Rugova, sot përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, ka njoftuar se komuna ka hapë tenderin për stabilizimin dhe konservimin e ndërtesës që ishte shkolla e parë shqipe e hapur në vitin 1908 në Prishtinë, e njohur (lagjja te plepat), shkruan KultPlus.

“Në Prishtinë shkolla e parë shqipe është hapur në vitin 1908 dhe kishte 250 nxënës. Kjo ndërtesë, që po shihet edhe në fotografi (dhe që ndodhet krejt afër Komunës së Prishtinës), sot është e privatizuar. Për këtë arsye institucionet e kanë pasur të vështirë ndërhyrjen për rehabilitim deri më tani.

Deri para ca javësh aty jetonin disa familje pa strehë, në rrezikshmëri të lartë nga shembja. Komuna e ka siguruar strehimin adekuat për këto familje, kurse dje e kemi shpallur edhe tenderin për stabilizim dhe më pas konservim të ndërtesës. Nëse çdo gjë shkon në rregull me prokurim muajin tjetër fillojnë punimet.

Paralelisht me të do të nisë konservimi edhe i një ndërtese tjetër në Qendrën Historike, dhe kështu të nisim mbarë dhe konkretisht projektin për rehabilitim të trashëgimisë kulturore në Prishtinë në bashkëpunim me CHwB, QRTK dhe IKMM”, ka shkruar Yll Rugova./ KultPlus.com

Të ngjajshme