Kongresistja më e re amerikane nuk ka para për të paguar qiranë e shtëpisë

11 Nëntor, 2018 - 10:30 am

Gruaja më e re e zgjedhur ndonjëherë në Kongresin amerikan ka një problem, ajo nuk paguan dot qiranë. Kjo sigurisht derisa të nis punën e re në janar.

Pasi tha për “New York Times” se po pret rrogën, përpara se të zërë një apartament në Washington DC, demokratja Alexandria Ocasio-Cortez është kthyer në fokusin e të gjithëve.

Moderatori i Fox News, Ed Henry ndezi debatin kur tha se 29-vjeçarja nuk po e tregon të vërtetën e plotë, sepse kur është shfaqur në një revistë, mbante veshje që kushtojnë me mijëra dollarë, shkruan Tch.

Ajo u përgjigj në Twitter, duke i treguar se rrobat për të cilat flet Henry, i ishin dhënë vetëm sa për të realizuar fotot. Komentet në rrjetet sociale kanë vërshuar nga çdo cep i Amerikës.

“Alexandria Ocasio-Cortez, që nuk merr dot një shtëpi me qira në Washington DC, ky është njoftimi i mijëvjeçarit”, ka shkruar një ndjekës në Twitter.

29-vjeçarja u zgjodh në zonën elektorale 14 të New Yorkut, pas një fushate progresive të mbështetur në çështje që përfshinin varfërinë, barazinë e pasurisë dhe emigracionin.

E lindur në Bronx, me prindër portorikanë, ajo e përshkruan veten si pjesë të klasës punëtore dhe deri në fillim të këtij vitit, ka punuar nëpër restorante për të shtuar rrogën si aktiviste e komunitetit./ KultPlus.com

Të ngjajshme