займ на карту онлайн потребительский кредит

Kontributi dhe risitë që solli Konferenca Albanologjike për Skënderbeun

Korrik 2, 2018 - 12:00 pm

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, mbylli sesionin e parë, pas një maratone të gjatë leksionesh shkencore.

Tomi Frashëri, Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, tha për Agjencinë Telegrafike Shqiptare se, “me ligjëratën e profesor Ivano Cavallinit dedikuar ‘Skënderbeut dhe muzikës’, e patrajtuar më parë, mbylli sesionin e parë të Konferencës Albanologjike kushtuar heroit tonë kombëtar. Sesioni i parë pati një pjesëmarrje të gjerë profesorësh dhe studiuesish të specializuar në studimet mbi Skënderbeun dhe epokën ku jetoi e të gjurmëve që la pas”.

“Në këtë sesion të parë u referuan 14 ligjërat madhore, të cilat u zhvilluan nga muaji maj, deri në fund të qershorit. Gjithashtu kemi patur dhe një event ekstra kalendarit, i cili u mbajt nga profesorët Aurel Plasari dhe Lucia Nadin, në lidhje me zbulimin e një dorëshkrimi të Marin Barletit “Rrethimi i Shkodrës”, i cili u pasqyrua gjërësisht dhe në media”, – vijoi Frashëri.

Tomi Frashëri gjithashtu bëri të ditur që kjo konferencë ka rëndësi edhe për informimin e brezit të ri mbi figurën e heroit tonë.

“Këto ligjërata kanë sjellë një kontribut jo të vogël, i cili në ndryshim me vitet e mëparshme, kjo dhe për shkak të zhvillimit teknologjik, mund të ndiqet dhe në kohë reale jo vetëm nga publiku që e ndjek në ‘Pallatin e Kongreseve’, por dhe nga gjithë shqiptarët kudo që ndodhen nëpërmjet rrjeteve sociale. Kjo konferencë ka kontribute të reja përsa i përket perceptimit që ne kemi nga ana objektive mbi figurën e Skënderbeut. Gjithçka në sesionin e parë ka qenë në një nivel të lartë shkencor dhe kur këto akte të dalin të botuara në vitin 2019, do të kemi një produkt shkencor mjaft interesant, të cilin do ia lëmë trashëgimi brezave të rinj dhe që do të përdoret në vijim nga studiuesit si referencë”, – u shpreh Frashëri.

Ai gjithashtu shpjegoi dhe detaje e risi mbi sesionin e dytë të kësaj konference, e cila sjell një kontribut shkencor me arkiva dhe dokumentacione mjaft interesante si për studiuesit, ashtu dhe për publikun.

“Sesioni i dytë rimerr punimet duke filluar nga 10 shtatori me profesor Dhori Qirjazi, i cili vjen nga Greqia posaçërisht për këtë konferencë. Ligjëratat do të përfundojnë në fund të muajit tetor, ku do të jenë sërish një cikël ligjëratash shkencore, ku do marrin pjesë rreth 14 personalitete të cilët janë përzgjedhur nga komiteti shkencor”, – tha Frashëri.

Ai shtoi se, “finalizimi i kësaj konference madhore do të përmbyllet me një sesion kumtesash nga data 1-3 nëntor, e cila do t’i japë mundësi studiuesve të tjerë po aq të mirënjohur, të ligjërojnë mbi studimet e tyre rreth Skënderbeut. Konferenca Albanologjike mbyllet në muaj nëntor, i cili është muaj i madh i pavarësisë, por dhe muaji përmbyllës i Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut”, – përfundoi Kryetari i Sekretariatit teknik të Vitit Mbarëkombëtar të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, Tomi Frashëri./ ata

Të ngjajshme