Korça mikëpret festivalin ‘Shpirti i Ballkanit”, promovohet folklori dhe traditat e raojnit

31 Maj, 2021 - 2:28 pm

Në qytetin e Korçës u zhvillua edicioni i tretë i festivalit “Shpirti i Ballkanit” ku trupa të ndryshme nga vende të rajonit performuan valle dhe muzikë folklorike.

Drejtoresha e Teatrit të Korçës, Zamira Kita, njëkohësisht organizatore e festivalit tha se kjo nismë synon të ruajë folklorin si dhe është mënyra më e mirë për tu rikthyer në normalitet pas më shumë se një viti në pandemi

Ndryshe nga edicioni i parë këtë vit COVID-19 diktoi një formë tjetër organizimi në të cilën morën pjesë vetëm 3 ansamble, Ansambli i Bitolës së Maqedonisë, Ansambli i Skëndërbeut dhe ai i Shqiperisë së Mesme.

Kita tha se “ky festival synon të ruajë traditën e këmbimin e eksperiencave dhe ruajtjen e urave të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit”.

“Ne dëshirojmë që të ruajmë në vazhdimësi vlerat e folklorit tonë dhe prandaj e kemi marrë këtë iniciativë. Vjet u përpoqëm në një formë virtuale që të realizonim disa bashkëpunime me disa nga vendet e Ballkanit, ndërsa sivjet u rikthyem në skenë. Shpresojmë që pandemia do të marrë fund dhe ne vitin tjetër do të kemi një festival edhe më të madh në numrin e trupave pjesëmarrëse”, tha Kita.

Këngët popullore folklorike, vallet dhe muzika instrumentale u duartrokiten nga artdashësit korçarë, por dhe turistët e pranishëm në skenën e Pazarit të Vjetër të Korçës.

Një prej anëtarëve të ansamblit “Skënderbeu”, Ines Sulenjis, rrëfeu emocionet e një shfaqje përpara publikut pas një viti pandemi.

“Ishte një ndjesi e papërshkrueshme pasi gjithë trupat nuk ishin mbledhur kurrë pas kësaj kohe pandemie dhe mezi po prisnim të vinim në skenë”, tha ajo.

Një ndër artistët e ansamblit Bitola të Maqedonisë vlerësoi festivalin dhe uroi që vitin tjetër ai të organizohet më i madh.

“Festivali ka qenë i mrekullueshëm, organizimi gjithashtu. Jemi të lumtur që jemi pjesë e tij dhe shpresojmë që vitin tjetër të jetë më i madh”, tha një ndër artistët e Ansamblit Bitola.

Vitin e ardhshëm ky festival pritet të vijë me një program më të zgjeruar dhe pjesëmarrje më të madhe të shteteve të Ballkanit. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme