Kosovari bëhet hero në Austri, shpëton jetën e një 14-vjeçari të ngujuar në oxhak

24 Dhjetor, 2018 - 8:50 pm

Muharrem Behrami nga Podujeva i cili punon dhe vepron në Linz të Austrisë, është bërë hero në këtë shtet. Krejt kjo, pasi që Behrami ka intervenuar për të shpëtuar një 14-vjeçar i cili kishte mbetur i mbyllur në një oxhak.

Behrami së bashku me zjarrfikësit dhe Policinë austriake, kanë shpëtuar 14-vjeçarin që kishte mbetur i ngujuar në një oxhak. Ishte kosovari ai i cili ka dëgjuar ulërimat e 14-vjeçarit i cili kërkonte ndihmë, më pastaj ka njoftuar forcat e rendit për intervenim. Ky rast ka marrë vëmendje në mediet austriake, e që një faqe e ka zënë edhe te gazeta “Land Leute”.

“Një nga banorët e lagjes, shoferi i kamionit, Muharrem Behrami, dëgjoi thirrjet për ndihmë nga 14-vjeçari në 01:30 të mëngjesit. Kosovari menjëherë lajmëroi policinë. Dy zyrtarë kontrolluan të gjitha apartamentet, por fillimisht nuk gjetën asgjë. U deshën gati dy orë që britmat më në fund të lokalizoheshin”, ka shkruar gazeta, transmeton faqja “Podujeva Vendlindja Ime”.

“Kur ishte e qartë se në cilën situatë ishte djali, departamenti i zjarrfikësve u alarmua në orën 03:30. Shpëtimi i djalit nuk ishte aq i lehtë. Nëpërmjet një ngushtice, forcat e punës mund të preknin krahët e Bibenit të dëshpëruar. Ai po merrte frymë, por i mbërthyer në oxhaqet e ngushta dhe plotësisht i pafuqishëm”, ka shkruar tutje gazeta.

Pas intervenimit, 14-vjeçari u largua nga vrima që gati sa e kishte mbytur.

“Në orën 04:30, djali u lirua më në fund nga oxhaku. Ai ishte plotësisht i lodhur dhe i çrregullt. Pas ndihmës së tij të parë nga ambulanca, ekipet mjekësore e çuan në spital”, thuhet tutje.

Muharrem Behrami, i cili ishte i pari që dëgjoi britmat e djalit dhe kishte paralajmëruar shërbimet emergjente në mes të natës, është shprehur i kënaqur. Ai nuk e konsideron veten një shpëtimtar.

“Unë vetëm e kam bërë detyrën time si dhe e kam marrë telefonin. Heronjtë e vërtetë të natës janë zjarrfikësit, policia dhe ekipet e shpëtimit”, ka thënë ai për media austriake.

Të ngjajshme