‘Kosovo Next 10’ shpalosi vizionin e të rinjve për të ardhmen e Kosovës (FOTO)

27 Qershor, 2018 - 9:18 pm

Gili Hoxhaj

Përkundër ekspozitave që thirren në të kaluarën, ekspozita Kosovo Next 10 sheh nga e ardhmja dhe sheh botën nga syri i atyre që do ta përbëjnë të ardhmen e shoqërisë.

Shoqata e Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës sonte prezantoi ekspozitën e cila vjen dhee vizualizon botën vizionare të më shumë se 50-të të rinjve se si e shohin ata të ardhmen e Kosovës në dhjetë vitet e ardhshme.

Për ta finalizuar tërë këtë ekspozitë, rreth pesëdhjetë të rinj kanë kaluar nëpër 5 punëtori ku i kanë ndarë pikëpamjet e tyre me 4 dizajnerë tajvanez. Në këtë ekspozitë që u hap sonte në Lapidariumin e Muzeut të Kosovës shtrihen veprat e artit interaktiv dhe ajo vjen si një udhëzues për vizitorët që të eksplorojnë aspektet e ndryshme të Kosovës dhe si një mundësi që edhe ata të kontribuojnë me idetë e tyre lidhur me të ardhmen në krijimin kolektiv për ta ndarë atë me të tjerët. Dizajnerët tajvanezë kanë sjellë këto dizajne në mënyrë mjaft kreative e interaktive, e momentin që atyre u vihet një tabletë përballë aktivitetet nuk rrijnë më të ngurtësuara.

Ngjyra e verdhë, kaltër dhe e bardhë dominonin në tërë ekspozitën. Si e tillë ekspozita pasqyronte tri fusha që shtrihen në gjendjen aktuale, në vizionin për të ardhmen dhe në ndërmarrjen e veprimeve. Në njërën anë të murit gjendja aktuale e Kosovës përfaqësohet me arritjet e Kosovës gjatë 10 viteve të fundit. Muri i Kosovës vjen plot ngjyra e gjallëri të ngjarjeve që e kanë karakterizuar një dekadë.

Në mesin e tyre bëjnë pjesë toleranca ndërfetare, pasuritë nëntokësore, dashuria e kosovarëve për Amerikën, Parada e parë e LGBTI-së, DokuFesti, përqindja e lartë e përdoruesve të internetit, makiato më e mirë në botë, presidentja e parë femër në Ballkan e përqindja e lartë e njerëzve nën moshën 35 vjeçare, futollistët e talentuar, e shoqëria civile shumë aktive. Të gjitha këto fakte si përgjigje ndaj pyetjes “Sa e njihni Kosovën”. Përmes dizajnit të Zombie Soup erdhi “Udhëtimet VR”, ku përmes “VR Travel Game”, nëpërmjet lojës VR publiku mund të udhëtonte në qoshe të ndryshme të botës. Për shkak të ruajtjes së pajisjes, ajo është në dispozicion të vizitorëve vetëm fundjavave. Në vazhdimësi publiku has “Makinën e Misioneve” që përfaqëson 36 misione të ndryshme për barazinë shëndetësosre, ushqimore dhe vetë eksplorimin.

Përmes fotografive të shpërndara në Instagram me hashtag # kosovonext10, fotografitë do të shërbejnë për vizitorët e tjerë si inkurajim për të ndërmarrë veprimeve. Në këtë ekspozitë nuk mungon as testi në internet për të nxjerrë rezultatet se “Çfarë lloj kosovari jeni”.

Në ekspozitë një pjesë të madhe kanë zënë edhe kutitë e votimit, në të cilat kalohet pasi të keni parë dhjetë faktet pse duhet të ndiheni krenar me Kosovën.

Me fije të kaltra dhe të verdha të lëshuara poshtë është portretizuar pema e dëshirave e cila me ngjyrë të kaltër prezanton hartën e Kosovës kurse me të verdhën atë të Tajvanit dhe prezantohet si një simbol i miqësisë mes Kosovës e Tajvanit. Kjo pemë kërkon përgjigjet e vizitorëve për të ardhmen e shoqërisë kosovare në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa kjo pemë do të përkthehet e do të shfaqet në Tajvan.

Kuratorja e ekspozitës, Chiayo Kuo, tha se ndihet e nderuar që përmes kësaj ekspozite të paraqesë bashkë me kolegët e saj vizionin e Kosovës për të ardhmen. Ajo kujtoi kohën kur ishte shpallur Pavarësia e Kosovës, ndërsa kishte qenë në shkollë të mesme dhe ky lajm kishte qenë shumë relevant atje, më pas ajo kishte kërkuar e lexuar shumë për Kosovën dhe pas 9 vitesh, ajo tha se nuk donte të mbetej vetëm vizitore në këtë vend kështu që bëri këtë ekspozitë për t’i lidhur më shumë vizionet e njerëzve të rinj, pasi ata janë e ardhmja e Kosovës.

“Ne besojmë se në dhjetëvjetorin e Kosovës, kjo ekspozitë ka një kuptim të veçantë. Kjo ekspozitë përmban punën e disa trajnimeve që kemi pasur me Termokiss dhe bazohet edhe në disa intervista që kemi marrë në rrugë. Ekspozita është online dhe offline. Ne kemi krijuar edhe një website për këtë ekspozitë kosovonext10.com, çfarëdo që ndodhë në ekspozitë, do të shfaqet edhe në website. Në këtë mënyrë çdokush mund të marr pjesë në këtë ekspozitë, pavarësisht vendndodhjes, pa marrë parasysh se sa larg jeni nga Kosova, ju mund të merrni pjesë dhe të festoni dhjetëvjetorin e Kosovës përmes kësaj ekspozite”, u shpreh Kuo.

Skënder Boshtrakaj tha se ndihet i lumtur që Muzeu e ka arritur atë nivel që të jetë i mbushur me vizitorë dhe me aktivitete të të rinjve që i prodhojnë për të rinjtë dhe vendin.

“Kur kam filluar punën në Muze i kam vendosur vetes dhe kolegëve prioritetet në tri shtylla të veprimit, për t’i vendosur në rend të parë të rinjtë dhe fëmijët, pastaj akademia dhe universitetet, studiuesit e rinj dhe grupi i tretë vizitori që është jo më pak i rëndësishëm. Jam i lumtur që Muzeu i Kosovës e ka arritur këtë nivel. Unë do doja t’i falendërohem të gjithë të rinjve që kanë marrë pjesë në këtë projekt dhe atyre që e kanë mbështetur projektin”, u shpre Boshtrakaj në fjalën e tij.
“Duke u bazuar në dhjetëvjetorin e shtetit të pavarur dhe duke aluduar në atë se si do ta shohim Kosovën në të ardhmen, do të isha shumë e nderuar që çdo ide e juaja se si e shihni Kosovën të jetë edhe me frytdhenëse për neve”, u shpreh Burbuqe Bakija nga MKRS e cila falënderoi ata që kanë marrë pjesë në këtë projekt.

Në emër të Zombie Soup, fjalën e mori Agnesa Belegu e cila u shpreh se ndihen shumë të lumtur për kontributin e tyre në këtë ekspozitë përmes projektit Travel Vr që mundëson një kapërcim përtej izolimit në të cilin ndodhen njerëzit e Kosovës.

“Do të ju ftoja të gjithëve t’i provoni këto eksperienca, ky nuk është një organizim shumë i zakonshëm në Kosovë. Realisht ky organizim na ka sjellë një perspektivë të re për t’i parë arritjet tona të cilat ne shpesh i harrojmë për shkak të problemeve tona. Shijojeni këtë ekspozitë për të parë më larg se këtu”, u shpreh Belegu.

Kjo ekspozitë e cila do të qëndrojë e hapur për një muaj në Muzeun e Kosovës erdhi si bashkëpunim i Shoqatës së Shkëmbimeve Kulturore të Tajvanit dhe Kosovës, Muzeut të Kosovës, Termokissit dhe Zombi Soup./ KultPlus.com

Të ngjajshme