Kritika ndaj paragjykimeve për shqiptarët

5 Mars, 2019 - 1:00 pm

Për Hugo Adolf Bernatzik, Mbretëria Shqiptare e sapoformuar ishte një koloni e Italisë, por që mund të shndërrohej në Kaliforni të Evropës. Me ndjesinë e antropologut ai vëren që “…rënia e kulturës popullore, e nisur nga Zogu, nuk po ndalet. Sot, një pjesë e madhe kostumeve kombëtare dhe e shtëpive muzeale të cilat gjenden në librin tim, janë zhdukur”, shkruan Shqip.

I papajtuar me imazhin e Shqipërisë në Evropë, si “…një vend plot hajdutë dhe rreziqe, që udhëhiqet nga një mbret operetash, i cili i ngjan pak a shumë atyre vendeve kaukaziane,…”, Bernatzik këmbëngul që në fillim të librit të tij që “nuk është e vërtetë që populli shqiptar është i ndarë në dy klasa, në proletariatin e qytetit dhe në gjithë pjesën që mbetet… Gjithashtu nuk është e vërtetë që pyjet dhe kënetat janë të mbushura me njerëz të egër,… Nuk është e vërtetë ajo që thuhet për këtë vend të çuditshëm dhe që është përshtatur nga konceptet perëndimore.”

Duke kritikuar “mendjemadhësinë e modernitetit tonë që e ka tretur konceptin e kulturës” dhe duke u thirrur në një lloj objektiviteti shkencor, Bernatzik shkruan “se çfarë është ‘e vërtetë’ për Shqipërinë, lexuesi mund ta gjejë në rreshtat dhe pamjet e mëposhtme. Unë e përshkova këtë tokë së bashku me aparatin tim, hasa aty vended he njerëz ashtu siç më dolën përpara.

Qëllimi nuk ishte as gjurmimi sistematik, asa ndarja klasore dhe raca. Nuk doja të ndreqja me këtë pohimet e paraqitura, por të ndreqja në mënyrë të përgjithshme opinionet e përhapura gjerësisht…Dhe për më tepër, ky libër nuk duhet të jetë shpëtimi i nderit, ashtu siç kam thënë tashmë, por duhet të bëhet një shpëtim i të vërtetës dhe i opinionit.”

Pas përshkrimeve shumë të gjalla dhe të ilustruara për malet, pyjet dhe kënetat, për pelikanët dhe faunën, qytetet e fshatrat shqiptare, mikrpitjen, kostumet, konceptin e kohës, traditat, zakonet dhe etnopsikologjinë e shqiptarëve, rrëfimi i Bernatzikut përmbyllet me katërmbëdhjetë histori nga përditshmëria shqiptare, disa të dëgjuara e disa të përjetuara nga vetë autori, mes të cilave edhe ngujimi i tij për nëntëmbëdhjetë orë në “Shpellën e djallit” pranë Sovjanit. Më 1953, themeluesi i konceptit të “antropologjisë alternative”, Hugo Adolf Bernatzik vdes pak ditë para se të arrinte moshën 56-vjeçare.

Por 90 vjet pas udhëtimit të tij në Shqipëri dhe 80 pasi libri i tij mori formën përfundimtare, “Shqipëria: vendi i shqiptarëve” ka arritur atë që vetë Hugo Adolf Bernatzik vështirë se mund ta ketë përfytyruar ndonjëherë: në vendin e shqiptarëve, ky libër, tani diskutohet dhe studiohet nga studentët në Departamentin e Antropologjisë Kulturore në Universitetin e Prishtinës dhe nga Instituti i Antropologjisë Kulturore në Tiranë.

Të ngjajshme