Kruja në dokumentet dhe fotografitë e rralla nga Fondi i Arkivave

2 Qershor, 2021 - 10:28 am

Një ekspozitë unike është çelur nga DPA-ja, pranë Muzeut Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë me dokumente të rëndësishme për jetën e qytetit dhe fotografi të rralla dhe të vjetra që ruhen në Fototekën e AQSH-së.

Ndër dokumentet e ekspozuara, një plan rregullues i Krujës i vitit 1944; dokumente që publikohen për të parën herë për ndërtimin e shtatores së Skënderbeut; dokumente që dëshmojnë përpjekjet për ndërtimin e Muzeut në vitin 1937 dhe gjatë periudhës së komunizmit.

Ardit Bido, drejtor i përgjithshëm i Arkivave u shpreh se, “kjo ekspozitë ka dy pika kryesore, vetë jetën e qytetit përmes edhe imazheve shumë të vjetra ku çdo person mund të gjejë lagjen apo rrugën ku ka banuar. Dhe dokumentet për ndërtimin e një muze i cili nga pikëpamja simbolike është shumë i rëndësishëm, siç është ky i Skënderbeut, ku ne kemi vendosur t’i sjellim këto dokumente. Kështu, ajo që ruhet në fondet tona ne kemi mision ta çojmë aty ku jetojnë shqiptarët”.

Drejtori i Qendrës Muzeore Krujë, Mehdi Hafizi tha se, një ekspozitë e tillë është me rëndësi për vetë muzeun dhe vizitorët e tij të cilët veç gjithçkaje gjejnë brenda, mund të shohin edhe këtë pasuri dokumentare që gjendet në arkiva e që lidhet me këtë qytet dhe vetë muzeun.

Ekspozita ishte një bashkëpunim i DPA-së me Qendrën Muzeore Krujë dhe Bashkinë Krujë, përfaqësuesi i së cilës Drini Masha tha se, “kjo është një ekspozitë me vlerë për qytetin dhe që ne do të dëshironim ta shëtisnim edhe në pika të tjera në qytet për ta parë sa më shumë banorë të qytetit por edhe vizitorë të tij”.

Kjo ekspozitë do të jetë në Krujë përreth 2 javë dhe cilido mund të shohë dokumente me rëndësi, një pjesë e të cilave shfaqen për herë të parë. /atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme