‘Krujë, o qytet i bekuar, prite prite Skënderbenë, po vjen si pëllumb i shkruar të shpëtojë mëmëdhenë’

3 Nëntor, 2020 - 11:06 am

577 vite më parë Skënderbeu u rikthye në atdheun e tij

Më datë 3 nëntor 1443 është një datë historike për Shqipërinë, pasi Skënderbeu do të linte betejën e Nishit dhe do të nisej për në Krujë, ku më pas edhe do të luftonte kundër Osmanëve për 25 vite me radhë.

Në këtë datë në afërsi të Nishit, u ndeshën dy ushtritë. Ushtria osmane u shpartallua dhe u tërhoq në panik. Skënderbeu filloi të zbatonte planin e kryengritjes, së bashku me 300 kalorës shqiptarë e me të nipin Hamza Kastrioti, u kthye në Dibër, ku populli e priti si çlirimtar.

Mori masa për përforcimin e rrugëve nga mund të vinin osmanët, dhe prej andej iu drejtua Krujës. Me një ferman të rremë shtiu në dorë qytetin e garnizonin dhe kështu më 28 nëntor 1443 u shpall rimëkembja e principatës së Kastriotëve. Mbi kështjellën e Krujës u ngrit flamuri me shkabën e zezë dykrenare.

Fjalimi i Skënderbeut nxiti frymën atdhedashëse. Kryengritja çlirimtare u bë e përgjithshme. Gjatë dhjetorit, Shqipëria e Mesme dhe e Veriut u spastruan nga forcat osmane, u çliruan njëra pas tjetrës kështjellat e kësaj zone.

Skënderbeu ishte organizatori i Kuvendit të Arbërit, në të cilin u zgjodh si prijës i Lidhjes Shqiptare të Lezhës.

Në janar të vitit 1468 Skënderbeu u sëmur gjatë zhvillimit të një Kuvendi të thirrur nga ai, në të cilin ishin të ftuar të gjithë princat shqiptarë. Vdiq me 17 Janar 1468 në Lezhë.

Poezi e shkruar nga Naim Frashëri.

Krujë, o qytet i bekuar,
prite, prite Skënderbenë!
Po vjen si pëllumb i shkruar
të shpëtojë mëmëdhenë.
Shqiptarët t’i shpëtojë
nga zgjedh’ e keqe e Turqisë
edhe ty të të nderojë,
që je kreu i Shqipërisë.
Ka pas trima shqipëtarë,
që s’u trembej syri kurrë,
në zemër të tij ka zjarrë,
është i urtë e trim, e burrë.
Mirë se erdhe, o verë
që na prure mirësinë,
dhe për shumë vjet të tjerë
e zbukurofsh Shqipërinë!…
O moj vash’ e Shqipërisë,
që më rri duke mejtuar,
pa i zhvish rrobat e zisë,
arriti dit’ e uruar.
Zbardhi fusha, ndriti mali,
nga armët e trimërisë,
hingëllin e s’mbahej kali,
që sill mbretnë e Shqipërisë. / KultPlus.com

Të ngjajshme