Kujtim Gashi kërkon të fillojnë procedurat për ngritjen e shtatores së kongresmenit Eliot Engel

31 Maj, 2019 - 3:00 pm

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve Kujtim Gashi ka nënshkruar memorandume me Komunën e Prizrenit, por në të njëjtën kohë ka kërkuar që të fillojnë procedurat për ngritjen e shtatores për Eliot Engel, shkruan KultPlus.

Më poshtë po ju sjellim postimin e tij të plotë.

Gjatë vizitës në qytetin historik, Prizrenin, takova kryetarin e komunës Mytaher Haskuka, nga i cili kërkova të fillojë procedurat administrative për ngritjen e shtatores së Kongresmenit Eliot Engel, si dhe nënshkrova 10 memorandume për financimin e projekteve për infrastrukturën sportive dhe kulturore, në vlerë totale prej 3 milion e 670 mijë euro. Po ashtu edhe rreth 3 milion euro parashihen të investohen në fushën e trashëgimisë kulturore në qytetin e Prizrenit.

Projektet në të cilat MKRS-ja do të investojë janë “Pishina Olimpike, Prizren” 1 milion e 350 mijë euro; “Ndërtimi i Stadiumit në Zhur, Prizren” 1 milion euro; “Stadiumi Përparim Thaqi, Prizren” 840 mijë euro; “Fusha Sportive në Lubinjë të Epërme – Prizren” 120 mijë euro; “Stadiumi i fshatit Gjonaj – Prizren” 100 mijë euro; “Poligoni Sportiv në Mushnikovë – Prizren”, 60 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Novo Selo në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Pauske në Prizren” 50 mijë euro; “Ndërtimi i Qendrës Kulturore në Skorrobisht në Prizren” 50 mijë euro; dhe “Kompleksi sportiv “11 Marsi”, Prizren” 50 mijë euro.

Projektet në të cilat do të investojë MKRS-ja janë mbështetje në kuadër të politikave dhe programit të ministrisë dhe se pres që pas realizimit të projekteve të krijohen mundësi të jashtëzakonshme për qytetarët ashtu që ata ta kenë më të lehtë t’i kryejnë aktivitetet kulturore e sportive. Gjithashtu, kërkova nga komuna të merr vendim për ngritjen e shtatores së Kongresmenit Eliot Engel. Ndërkaq, komunës së Prizrenit i mbetet të përgatisë aspektin administrativ dhe t’i ndajë lokacionet për projektet të cilat pritet të fillojnë dhe të cilat do të investohen nga MKRS-ja. 
Projektet tona në fushën e Trashëgimisë Kulturore janë duke vazhduar në qendrën Historike të Prizrenit. Së shpejti do të fillojë së zbatuari projekti rreth 2 milionësh për rerehabilitimin e rrugës “Marin Barleti” /KultPlus.com

Të ngjajshme