Kujtim Gashi: Ministria do zhvendoset në Prizren posa të sigurohet objekti

6 Shkurt, 2018 - 2:30 pm

Alberina Haxhijaj

Ky vit vazhdon të konsiderohet si vit i trashëgimisë kulturore nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi. Ai në mbledhjen e cila ishte organizuar për të prezantuar inspektorët e Inspektoratit të Trashëgimisë Kulturore ka vazhduar të pohojë një gjë të tillë. Ministri i Kulturës, Kujtim Gashi bëri të ditur se tashmë janë në pritje të vendimit për të bartur edhe një pjesë të kësaj ministrie pikërisht drejt qendrës historike, Prizrenit.

Ministri, kohë më parë pati thënë se Departamenti i Trashëgimisë Kulturore dhe ai i Kulturës janë departamentet të cilët që nga muaji shkurt do funksionojnë nga Prizreni. Mirëpo sipas tij një gjë e tillë nuk ka ndodhur akoma pasi që ministria është duke pritur nga autoritetet lokale të Prizrenit dhënien në shfrytëzim të një objekti i cili më pas do të shfrytëzohet nga kjo ministri.

“Jemi duke pritur një vendim të autoriteteve lokale për të dhënë në shfrytëzim objektet për zhvendosjen e ministrisë dhe besoj që shumë shpejt do të merret një vendim i tillë nga autoritetet lokale dhe ne dalë nga dalë do të fillojmë procedurat për zhvendosje. E kam thënë edhe më herët dhe po e përsëris edhe tani se ministria do të funksionojë edhe në Prishtinë edhe në Prizren por disa departamente do të barten në Prizren. Kështu do të kemi një mundësi edhe më të mirë të jemi më afër edhe aseteve të trashëgimisë kulturore por edhe të atyre që kanë nevojë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit” u shpreh ai.

Deri më tani sipas raportimeve në media janë marrë në konsideratë disa objekte si objekti ku është i vendosur Rektorati i Universitetit të Prizrenit, objekti i njohur me emrin “Internat”, si dhe është përmendur Qendra “Evropa”, ish-ndërtesa e Kadastrës edhe shtëpia e Shuaip Pashë Spahiut.

Prizrenit pritet të jetë shtëpia e dytë për Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, pas vendimit që në këtë qytet të zhvendosen disa departamente të kësaj ministrie. Një vendim të tillë e pati bërë të ditur vetë ministri muaj më parë, vendim ky i cili nga shumë persona të shoqërisë civile u konsiderua si një vendim politik. Në anën tjetër MKRS-ja konsideron se ky vendim nuk është politik por që sipas tyre është vendimi më i mirë që është marrë ndonjë herë nga Qeveria e Kosovës./ KultPlus.com

Të ngjajshme