‘Kultura për ndryshim’, programi që mbështetë ndryshimet në Kosovë përmes kulturës

27 Qershor, 2018 - 8:31 pm

Alberina Haxhijaj

Tashmë ka përfunduar raundi i parë i granteve të dhëna në kuadër të projektit “Kultura për ndryshim“ që financohet nga BE-ja dhe menaxhohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ndërsa zbatohet nga Qendra Multimedia dhe Goethe-Institut.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skender Boshtrakaj, me të marrë fjalën sot në një ngjarje të organizuar nga programi në fjalë, zgjodhi një paralele me thënien e Robert Schumanit se nëse Bashkimi Evropian do të krijohej nga fillimi, pikënisje do ta kishte kulturën.

E rëndësinë e kulturës e theksoi edhe Genoveva Ruiz-Calavera, drejtoresha e Western Balkans në DG NEAR (Directorate-General for Neighbourhood and Enlargement Negotiations).

Ajo u shpreh se Kosova duhet të jetë e lumtur për potencialin të cilin e kanë të rinjtë këtu, për të sjellë ndryshime, ndryshime të cilat vijnë si rrjedhojë e angazhimit në kulturë.

“Unë kur kam ardhur për herë të parë në Kosovë pata filluar punën pikërisht në muze. Tani jam e lumtur që po rikthehem përsëri. Më kujtohet kur erdhëm dhe u vendosëm këtu në hapësirat e muzeut i cili nuk kishte aspak i tillë, tani më vjen shumë mirë që ky Muze (i Kosovës) është më të vërtetë muze i denjë dhe jam e lumtur që e shoh të mbushur me eksponate”, u shpreh ajo.

Ruiz Calavera theksoi rëndësinë që kanë programet e shkëmbimit në mes të të rinjve nga Kosova dhe atyre nga vendet tjera të Evropës.
“Rinia e Kosovës duhet që të vazhdojë të mendojë jashtë kutisë dhe asaj që i servohet dhe sidomos të rinjtë duhet që të jenë më shumë me mendje kritike pasi vetëm kështu do të bëjnë më shumë presion ndaj politikanëve për ndryshime”, u shpreh Genoveva Ruiz-Calavera e cila po ashtu pranoi një kopje të “Hyjneshës në Fron” si dhuratë nga drejtori i Muzeut të Kosovës.

“Ajo çka po bën sot Bashkimi Evropian është hapja e mundësive dhe ofrimi i tyre prandaj ne duhet të jemi ata që do t’i shfrytëzojmë këto mundësi në mënyrë që të rinjtë tanë të kenë mundësi dhe perspektivë evropiane. Të rinjtë tanë janë evropian, të rinjtë tanë dinë të bëjnë vepër evropiane, krijimtari evropiane dhe nga programet si ‘Evropa Kreative’ jam i sigurt që shumë të rinj do të përfitojnë”, tha Shyqyri Bytyqi – Ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.

Jeton Neziraj nga Qendra Multimedia e cila së bashku me Institutin Goethe po implementojnë programin “Kultura për Ndryshim”, tha se ky programi deri tani ka përfunduar kohortin e parë të granteve ku përfitues direkt janë 42 artistë individualë dhe organizata të ndryshme kulturore.

“Shumica e granteve janë orientuar jashtë kryeqytetit, te organizatat dhe grupet artistike më të vogla por të cilat kanë potencial zhvillimi dhe qëndrueshmërie. Nga 200 aplikacione sa kemi pranuar mbi 30% e tyre kanë ardhur nga artistë dhe organizata kulturore nga komunitetet pakicë në Kosovë, që do ta konsideroja një lajm të mirë dhe një fakt optimist”, tha Neziraj.

Projekti “Kultura për Ndryshim” synon të rritë kapacitetet dhe të forcojë operatorët kulturorë në Kosovë përmes grant-dhënies dhe ngritjes së kapaciteteve të organizatave kulturore në Kosovë, duke mbështetur zhvillimin e kulturës në zonat jashtë kryeqytetit të Kosovës, dhe veçanërisht në mesin e operatorëve kulturorë që vijnë nga komunitetet e margjinalizuara. Projekti po ashtu do të mbështesë operatorët kulturorë nëpërmjet rrjetëzimit dhe promovimit që synojnë lidhjen e iniciativave kosovare me bashkëpunuesit potencial brenda dhe jashtë Kosovës.

Në dokumentin më poshtë mund të gjeni listën e plotë të fituesve të Thirrjes së parë për grante të projektit Kultura për Ndryshim për vitin 2018. / KultPus.com

Të ngjajshme