Kundër kaosit në Qendrën Historike të Prizrenit

23 Gusht, 2019 - 1:03 pm

Grupi joformal i hisedarëve të Qendrës Historike të Prizrenit (QHP), në një takim të hapur të mbajtur në hapësirat e Kino Lumbardhit të shtunën me 17 gusht, në prani të banorëve, pronarëve të bizneseve, asamblistëve, organizatave joqeveritare, përfaqësuesve të Policisë së Kosovës, diskutoi për problemet e QHP në raport me sundimin e ligjit në veçanti për zhurmën dhe lirinë e lëvizjes.

Përkundër kornizës së avancuar ligjore, mosimplementimi i ligjit dhe pandëshkueshmëria lidhur me respektimin e orarit të punës, nivelin dhe orarin e zhurmës, llojin e veprimtarive të lejuara sipas Ligjit për Qendër Historike, shfrytëzimin e hapësirës publike, si dhe qarkullimin dhe parkimin e veturave, janë duke e degraduar cilësinë e jetës, cenuar liritë bazike qytetare si dhe ndikuar negativisht në eksperiencën e vizitorëve në Komunën e Prizrenit dhe veçanti qendrën historike”, thuhet në njoftimin e tyre, transmeton KultPlus.com.

Ky grup pas diskutimeve u është drejtuar institucioneve relevante me disa rekomandime:

“1. Të merren të gjitha masat e duhura urgjente që të respektohet ligji për zhurmën – të ndalet zhurma!

2. Të fillon monitorimi me kamera i parkingjeve dhe hapësirave të QHP-së

3. Të ndalohen veprimtaritë afariste të kundërligjshme sipas Ligjit për QHP

4. Të konsiderohet hapja e qasjes me vetura nga Qafa e Kishës për banorët e zonës përreth

5. Të konsiderohet vendosja e patrullës policore tek “Ura e Gani Tadës”

6. Te bëhet kategorizimi i lejeve të qarkullimit sipas vendit të hyrjes në zonë, duke u ndarë në dy kategori: ata që kanë vendparkim dhe ata që kanë vetëm leje qarkullimi në këtë zonë

7. Të hartohet plani i mobilitetit me synim të shkarkimit të trafikut të tepërt në Qendrën Historike të Prizrenit dhe standardizimit të sistemit të parkingjeve

8. Të ngritën kapacitetet njerëzore të inspektoratit dhe policisë, përmes patrullave të rregullta dhe praktikimit të gjobave konsekuente për zë joadekuat dhe zhurmë pas orës 23:00

9. Të organizohen kampanja vetëdijesimi dhe komunikimi për ligjet, rolet e institucioneve dhe kufizimet e QHP, me adresë tek banoret, bizneset dhe akterët tjerë

10. Të thirret një takim me hisedarët, përfshi përfaqësuesit e bizneseve, parkingjeve, zejtarëve dhe drejtorive relevante”. / KultPlus.com

Të ngjajshme