Kur gazeta kroate Vjesnik shkruante për Shkollën e Mesme të Artit në Pejë (FOTO)

8 Shtator, 2017 - 6:51 pm

Ditë më parë, Komuna e Pejës ka rrënuar objektin e Shkollës së Mesme të Arteve Aplikative “Odhise Paskali”, me pretendimin për të ndërtuar hapësira të reja në shërbim të shkollës. Ky veprim i komunës është realizuar pa përfshirje dhe konsultim paraprak të palëve të interesit, duke i anashkaluar edhe qytetarët e Pejës në përgjithësi.

Ky veprim i Komunës së Pejës është cilësuar si fshirje e memories kolektive të qytetit, e krim ndaj trashëgimisë kulturore.

Megjithatë, Shkollës së Mesme të Artit në Pejë gjithnjë i është njohur kontributi që ka dhanë në themelimin e Akademisë Arteve.

Erëmirë Krasniqi dhe Rachel Pafe, përgjatë hulumtimit të Koleksionit të Galerisë Kombëtare të Kosovës kanë zbuluar një artikull nga arkiva e gazetës kroate Vjesnik, e datës 1 shtator 1974.

Në fakt, objekti që po shkatërrohet për tu ndërtuar me një të ri, dikur ka pasur jehonën e tij.

Artikullin po e publikojmë me lejen e Erëmirë Krasniqit:

Në Prishtinë ka filluar punën Akademia e Arteve të Bukura.
Duke pasur parasysh nevojën gjithnjë në rritje artistiko–pedagogjike dhe faktin se në Kosovë po shpërfaqet një numër i madh i talentëve artistë është marrë vendim që në Prishtinë të themelohet Akademia e Arteve të Bukura.

Hapja e Akademisë për Arte të Bukura në Kosovë është moment historik pasi që shumë talentëve do tu ofrohet mundësia të gjejnë vetën e tyre, perfeksionojnë diturinë e tyre dhe të kontribuojnë në zhvillimin e kulturës në këtë mjedis.
Kontribut të madh në themelimin e këtij niveli të edukimit universitar e ka Shkolla e Mesme e Artit në Pejë dhe Shkolla e Lartë Pedagogjike në Prishtinë, të cilat me mundin dhe punën e tyre në shkollimin e kuadrove të kësaj fushe e kanë mundësuar lindjen e Akademisë së Arteve të Bukura. / KultPlus.com

Të ngjajshme