Kur kishte kënaqësi e lahej në Hamamin e Madh të Prishtinës (FOTO)

22 Dhjetor, 2017 - 9:22 pm

Kur para pak vjetësh u tha se do të bëhej restaurimi dhe konservimi i Hamamit të Madh të Prishtinës, sikur, më në fund, u ngjallën kujtimet e prishtinasve. Pas mbylljes së tij për rreth 47 vjet, u mbyll edhe e kaluara e qytetarëve të vjetër. Ngaqë, ky hamam dikur ishte bërthamë e qytetit të vjetër, pjesë themelore e kompleksit të Xhamisë së Madhe që veç dedikimit, shërbente edhe si vendtakim shoqëror për meshkujt dhe femra. Këto ditë shtatori (2012), përsëri po aktualizohet çështja e restaurimit të këtij objekti mesjetar që është nën mbrojtje të shtetit, i cili thuhet do të shndërrohet në muze dhe në galeri të kryeqytetit.

Domethënë, ndër pjesët më atraktive dhe të nevojshme për qytetarët e Prishtinës, ishte Hamami i Madh. Ky kompleks qyteti, kujtohet me shumë nostalgji si qendër sanitare-higjienike. Përbëhej nga kubetë, 15 sosh, që ishin burim I dritës, pastaj nga pishinat, nga shatërvani dhe holet e tjera, dhe ishte një vend për hare! Në këtë hamam zhvilloheshin shumë ceremoni, madje më atraktivja ishte ajo e përgatitjet së vajzave për nusëri! Aty bëheshin edhe gosti për personat e ftuar, shoqëruar me muzikë.

Rikthim kujtese: “Dita më e lumtur e javës për ne vajzat ishte e shtuna” zgjohen kujtimet e “fjetura” të arsimtares së dikurshme, Aktere Gjikolli.

“Sepse, ne vajzat shkonim grupe-grupe në Hamamin e qytetit për t`u larë. Në hamam kishte, pra, kube, ndërsa nën to hapësira ose dhoma me hyrje të ndara, me 5-6 kurne (sivaska) në formë guaskash me tasa të lidhur me zinxhirë! I tërë hamami ishte I sajuar nga gurët e mermerit, që jehonte nga zhurma e tasave e kënga e grave”
Mbaj mend, nga avulli që krijohej, vështirë e kishe ta identifikoje personin që e kërkoje, kur me Lemanen (Alibegu), shoqe e fëmijërisë, shkonim ndonjëherë t`ua çonim familjareve sepetet me ushqime, sipas porosisë, ngase në “pauzë” të larjes, gratë uleshin e bënin qejf, hanin e pinin! Ndoshta sepse qëndrimi në hamam zgjaste tërë pasditen, deri në mbrëmje (kohë kjo e rezervuar për gra).

Burimi: Sanije Gashi – Prishtina e fëmijërisë sime

Të ngjajshme