Kuratorja gjermane, cikël bisedash mbi rolin e arkivave në praktikën artistike

30 Gusht, 2019 - 3:30 pm

Aktivizimi i rolit të arkivave në praktikën artistike është në qendër të të ciklit të bisedave të Art House School, ku Angelika Stepken, drejtoreshë e Villa Romana në Firence, vjen me një trajtesë të sajën.

Që nga vitet ’90 artistët filluan të interesohesh rreth arkivave, si t’i qaseshin atyre, si t’i dekonstruktonin, si t’i ballafaqonin me histori që nuk ishin pjesë e tyre. Arkivat e reja u krijuan në kontekste të reja. Kjo praktikë u përdor edhe nga institucionet, por kjo tendencë artistike u kritikua sepse dukej sikur shikonte vetëm nga e kaluara e jo më përpara, si një lloj humbjeje lirie.

Në kontekstin e sotëm të diskutimeve post- kolonialiste, çështja se cilat “realitete” e jetë u lënë jashtë arkivave hegjemoniale (perëndimore), kërkon një rilexim kritik.

Sipas ambasadës së Gjermanisë në Tiranë, kjo bisedë kërkon të bëjë një prezantim të shkurtër në nivel teorik dhe të tregojë shembuj të ndryshëm të praktikave artistike mbi arkivën, pjesa më e madhe e të cilave nga projektet e ekspozitave në Villa Romana gjatë viteve të fundit.

Angelika Stepken është drejtoreshë e Villa Romana në Firence. Nga 1998-2006 ka qenë drejtuese e Badischer Kunstverein në Karlsruhe. Si kuratore, ka organizuar një sërë ekspozitash ndërkombëtare që nga fundi i viteve 1980 ndërsa së fundmi ka kuruar “Future Perfect” për IFA (Institute for Foreign Relations), ekspozitë shëtitëse që nga viti 2013.

Stepken ka shkruar shumë artikuj, tekste për artin dhe katalogë dhe ka qenë redaktore e edicionit të 2012-ës për BDI Jahresring, të titulluar “On One Side of the Same Water”, “Artistic practices between Tirana and Tanger”. Është redaktore e monografisë “Ketty La Rocca – You. Works & Writings 1964-1976”, e publikuar në vitin 2018.

Projekti mbështetet nga Goethe-Zentrum në Tiranë./atsh/ KultPlus.com

Të ngjajshme