“Lake Festival” shënohet me aktivitete të shumta te liqeni i Badovcit

8 Dhjetor, 2018 - 6:30 pm

Aksion pastrimi, diskutim me nxënës për tema mjedisore, mbjellje e drunjve, lojëra të ndryshme e debate – këto ishin vetëm disa prej aktiviteteve të “Lake Festival” që u mbajt sot te liqeni i Badovcit.

“Lake Festival” u organizua në kuadër të projektit “Improved Waste Management for Improved Water and Environment Protection”, mbështetur nga Ambasada Kanadeze dhe Qeveria e Kosovës.

Aktiviteteve të shumta të Festivalit iu bashkuan edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, Ambasadori kanadez në Kosovë, Daniel Maksymiuk, ushtarë kanadezë, si dhe nxënës të shoqëruar nga mësimdhënësit e tyre. Maksymiuk bëri thirrje që mjedisi të mbahet pastër vazhdimisht, jo vetëm në një ditë.

“Faleminderit që na jeni bashkuar në këtë ditë të shtunë. Kemi ardhur këtu që të kalojmë qaste të këndshme dhe të qartësojmë se ky mjedis është e ardhmja juaj, andaj ju e keni për detyrë të kujdeseni për të. Z.Matoshi është përgjegjës, andaj ka planin dhe vizionin se si ta përmirësojë gjendjen e mjedisit në Kosovë. Kanadaja, si shtet mik i Kosovës mund të ndihmojë dhe kontribuoj në organizimin e aktiviteteve të tilla, siç po veprohet nga ‘Let’s Do It Kosova’, të cilët po ngritin zërin kritik për çështjet mjedisore në Kosovë dhe po mobilizojnë njerëzit që të kujdesen për mjedisin. Fakti që po ju shoh sot këtu, më jep shpresë se sjellja jonë ndaj mjedisit do të jetë më miqësore”, ka thënë Maksymiuk.

Për organizimin e një Festivali të tillë për herë të parë në Kosovë foli Drejtori Ekzekutiv i “Ta Pastrojmë Kosovën”, Luan Hasanaj, i cili tha se nga Badovci do të përçohet mesazh për rëndësinë e liqeneve dhe ujërave të vendit tonë.

“Përmes këtij Festivali që për herë të parë po e sjellim në Kosovë do të përçojmë një mesazh për rëndësinë e madhe të ruajtjes së liqeneve, lumenjve dhe të gjitha ujërave të vendit tonë. Pra, jemi dëshmitarë që hapësirat përreth liqeneve dhe lumenjve janë të ndotura, shohim mbeturina gjithandej. Ashtu siç po e pastrojmë sot këtë hapësirë dhe simbolikisht po e kthejmë në eko-park, kështu duhet të ndërmarrim aktivitete në të gjithë hapësirat përreth liqeneve dhe lumenjve në tërë Kosovën. Dua t’ju bëjë apel të gjithë atyre që vizitojnë këto hapësira që të kujdesen për to dhe mos t’i lënë mbeturinat këtu, sepse e shohim se si është shndërruar zona shkaku i tyre. Në vend që të ishte e pastër, kjo ishte e mbushur me mbeturina dhe kështu nuk shkon. Pra, për këtë fajin e kanë qytetarët”, ka thënë Hasanaj.

Ndërsa, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, ka falënderuar të gjithë partnerët ndërkombëtar për mbështetjen që po ia japin Kosovës në sektorin e ujërave, shkruna koha.net

“Fatkeqësisht në këtë Liqen deri para pak muaj janë derdhur edhe kanalizimet e fshatrave përreth dhe në bashkëpunim me Qeverinë çeke dhe Qeverinë e Kosovës është bërë i mundshëm një impiant për trajtimin e ujërave të zeza, andaj ky Liqen sot është shumë më i pastër. Por, ne të gjithë së bashku do ta bëjmë edhe më të pastër. Do të angazhohemi që ta ruajmë. Falënderojmë edhe miqtë dhe partnerët tonë ndërkombëtarë për ndihmën e ofruar, siç është shteti i Kanadasë që ka mbështetur këtë iniciativë dhe të gjitha vendet tjera për mbështetjen që po na japin në sektorin e ujërave”, ka thënë Matoshi.

Festivali i sotëm kishte për qëllim promovimin dhe rëndësinë e kujdesit ndaj ujërave si dhe shtimin e kujdesit ndaj biodiversitetit të ekosistemit ujor. Edhe sot u bë thirrje që të mbrohen pasuritë natyrore të Kosovës dhe hapësirat publike, të cilat shfrytëzohen nga të gjithë./KultPlus.com

Të ngjajshme