Lidhja mistike e Skënderbeut me Venecian

24 Qershor, 2018 - 8:30 pm

Konferenca Ndërkombëtare e Albanologjisë, kushtuar heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, nxit pasurimin e informacionit akademik dhe kulturor të historisë së vendit tonë gjatë mesjetës.

Albanologia Lucia Nadin në një pronocim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare u shpreh se, ” kam 25 vite që i jam dedikuar studimit të Shqipërisë. Për pasojë edhe prania ime këtu nuk është vetëm për këtë event, por edhe një vazhdimësi e rreth 20-25 vite studimesh mbi Shqipërinë dhe Skënderbeun”.

Ajo shtoi se këto konferenca shkencore janë,”një rast i rëndësishëm, mbi të gjitha për të rinjtë, sepse unë e kuptoj se pasi të largohet brezi im, një gjeneratë studiuesish, nuk shoh mjaftueshëm gjak të ri. Këtu flas për Italinë, ku shumë studentë shqiptarë studiojnë në Itali, por nuk kanë zgjedhur fakultetet shoqërore, nga ana tjetër as studentët italianë nuk i zgjedhin, për shkak të problemeve me punësimin, dhe preferojnë fakultetet shkencore. Pra, mund të themi se është pak e frikshme të mendosh se kush do ta vazhdojë këtë trashëgimi”,u shpreh albanologia Nadini.

”Në ligjëratën time kam trajtuar një argument të ri që është shfaqur nga kërkimet në arkiva dhe njëkohësisht kam arritur të kontaktoj dhe të përfshij doktor Battistan që ishte dhe është i ngarkuar për të rregulluar Pallatin Ducale dhe armët që ndodhen aty. Si dhe është argumenti që ka të bëjë me konservimin dhe fabrikimin e armëve që prodhoheshin në Venecia për Skënderbeun. Pra, do të shohim dëshminë vizive të shpatës së tij, të shpatës së tij mitike, madje flitet edhe për një farkëtar që prodhonte për Skënderbeun, por edhe për faktin se prej shekujsh është ruajtur në arsenalin e Venecias një armaturë për Skënderbeun që bënte pjesë në muzeun e gjithë të mëdhenjve të historisë së Europës”,u shpreh për studimin e saj albanologia Lucia Nadin.

“Nga ana e Venecias, Skëderbeu shihej si një prej personazheve të mëdhenj të historisë botërore. Për mua, padyshim, Skënderbeu nënkupton çastin historik kur Shqipëria luajti një rol themeltar mes Lindjes dhe Perëndimit. Pra, nëpërmjet Skënderbeut dhe asaj që ndodhi pas atij, është një faqe thelbësore e historisë tonë europiane, them tonë duke përfshirë edhe Shqipërinë sepse në vitin 1 500 Shqipëria ka qenë në dokumentet e historisë gjithnjë e cilësuar si Shqipëria në Europë”,përfundoi Lucia Nadin.

Në kuadër të Vitit Mbarëkombëtar të Skënderbeut, në 550-vjetorin e vdekjes së heroit tonë kombëtar, po zhvillohet dhe Konferenca Albanologjike, e cila i jep mundësi të gjithë studiuesve të Skënderbeut për t’u njohur dhe për të shpalosur një temë të caktuar me epokën e Skënderbeut. Kjo Konferencë është e ndarë në tre seksione. Në seksionin e parë dhe seksionin e dytë, ku janë ftuar specialistë fushës, akademikë brenda dhe jashtë vendit, që ligjërojnë studimet e tyre. Në seksionin e tretë do të jenë konkluzionet.

Viti mbarëkombëtar i Skënderbeut do të mbyllet me samitin e madh të diasporës, në muajin nëntor, kur do jetë dhe seksioni i tretë i Konferencës së Albanologjisë. Në këtë muaj (nëntor) do të ketë dhe një sërë veprimtarish të mëdha. Gjithashtu do jepet “llogari” se çfarë është bërë në vitin e Skënderbeut. Të gjitha punimet do të publikohen në një moment të dytë gjatë vitit 2019.

Në këtë drejtim, qeveria ka menduar që mungesat e mëdha që ka albanologjia të jenë një lloj baze për të ngritur sa më parë një kurs për të mundësuar formimin e të rinjve në gjuhët e vjetra, arkilistik dhe paelografi, duke i dhënë frymë dhe oksigjen albanologjisë, për të ndërtuar dhe për të lënë stafetat për brezat që do vijnë./ ata

Të ngjajshme