Lini, fshati piktoresk në pritje të turistëve

13 Maj, 2018 - 7:00 pm

Lini, fshati i vogël buzë liqenit të Ohrit, 22 km nga qyteti i Pogradecit, me një bukuri të rrallë dhe peizazh mahnitës është gati të presë turistët për sezonin e ri turistik.

Me shtëpitë e vogla të ndërtuara buzë ujit, në shpinën e një kodre jo shumë të lartë, me rrugica të vogla e të ngushta, të shtruara me gurë të vegjël, ku vështirë se mund të kalosh me makinë, zgjon interesin e gjithë vizitorëve apo turistëve vendas e të huaj.

Në jug të Linit, afër Buqezës në liqen, në thellësinë 2-3 m ndodhen disa palafite. Ai është një vendbanim i tipit liqenor, ndërtuar në sipërfaqe të liqenit, si ajo e Maliqit në rrethin e Korçës.

Gojëdhënat tregojnë që dikur gadishulli i Linit ka qenë një ishull i bukur me bimësi të dendur. Jeta në këtë gadishull ka filluar në periudhën e parë të Epokës së Hekurit (kohë së cilës i përkasin edhe mozaikët e famshëm të Linit, të cilët gjenden mbi kodër) dhe ka vazhduar deri në kohën e Mesjetës së Hershme. Ndërsa për origjinën e emrit ka shumë histori.

Njëra prej tyre thotë se, kur ushtarët e Jul Çezarit mbërritën në këtë kodër u mahnitën aq shumë, sa bërtitën “Lyhnidas”, që do të thotë “Liqeni i Dritës”.

Ndërsa vetë banorët shprehen se dikur fshati shtrihej deri në mesin e Liqenit dhe më pas u krijua fshati i ri. Të gjithë thoshin: “Lindi fshati” dhe që atëherë u quajt Lin, si shkurtim i fjalës “Lindi”.

Tani mbas 2000 vjetësh, turistët vendas e të huaj vijnë për të vizituar këtë fshat mahnitës dhe pamjen mbresëlënëse që të ofron.

Në Lin ka disa plazhe të këndshme me ujë të kristaltë, me rërë dhe guralecë të vegjël.
Një vend i bukur për piknik është edhe vendi i quajtur “Mulliri i Vjetër”, me burime gurgulluese dhe hije pemësh. /k.s/

Të ngjajshme