Liqeni i Butrintit, kryevepra e natyrës mes botës antike

12 Prill, 2022 - 11:39 am

Liqeni i Butrintit rri në mes të një pasurie botërore antike si një mrekulli e natyrës për t’i dhënë bukuri mahnitëse një nga vendi më të vizitueshëm nga turistë, thesarit të qytetërimit antik të Butrintit.

Administrata Rajonale e Zonave të Mbrojtura, Vlorë ka publikuar foto mahnitëse nga Liqeni i Butrintit.

Liqeni i Butrintit përbën pjesën qendrore të Parkut Kombëtar Butrint. Sipërfaqja e tij është 1600 ha. Pellgu i tij ujëmbledhës përfshin Lumin e Bistricës në veri, Malin e Miles në lindje dhe lumin Pavllo ne jug.

Liqeni i Bufit (Rrëza) ndodhet në pjesën jug-lindore të liqenit të Butrintit. Sipërfaqja e tij totale vlerësohet rreth 83 ha. Liqeni është i ceket, me një thellësi mesatare prej rreth 1m. Furnizohet nga burimet e fuqishme te kripura te Rrezes në pjesën veri-lindore të liqenit, në shpatin e Malit të Miles.

Ujërat e shumtë të Bufit derdhen më pas në pjesën me jugore të Liqenit te Butrintit nëpërmjet një kanali të gjatë rreth 1 km.

Parku është i një rëndësie të madhe për konservimin global të biodiversitetit, pasi është siti i 16 specieve të rrezikuara të florës  dhe i 14 specieve të rrezikuara të faunës. Zona ligatinore është formuar nga një lagunë tektonike, e njohur si Liqeni i Butrintit, e rrethuar nga brigje të pyllëzuara, male, ujë dhe këneta të njelmëta dhe lidhet me ngushticën e Korfuzit nga Kanali i Vivarit.

“Liqeni” ka një thellësi mesatare prej 14 m (pika më e thellë 22 m), ndërsa Kanali i Vivarit është deri më 100 m i gjerë. Mbetjet arkeologjike janë pjesë e pyllit natyror me një ekosistem kompleks, i cili varet nga ujërat afër Liqenit të Butrintit dhe Kanalit të Vivarit që e derdhin liqenin në Detin Jon.

Është kombinimi i monumenteve historike dhe i mjedisit natyror ai që e bën Butrintin një vend kaq unik, një peizazh me monumente më të cilin u dashuruan vizitorët e mëdhenj të shekujve 18 dhe 19.

Zona e Butrintit mban 16 specie në zhdukje të florës përfshirë këtu Agrimonia eupatoria, Capparis spinosa dhe Laurus nobilis.

Qyteti antik i Butrintit u shpall për herë të parë monument kulture më 1948; më 1999 u regjistrua në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s; më 2003 kompleksi ligatinor, përfshirë dhe pjesën e lagunës dhe zonën bregdetare të Butrintit – Kepin e Stillos – u shpallën Zonë Ramsar dhe Park Kombëtar (Kategoria II e IUNC-it për Kategorinë e Menaxhimit të Zonave të Mbrojtura). Në saje të rëndësisë së tij për të ruajtur trashëgiminë kulturore dhe arkeologjike, Butrinti u bë pjesë e Listës së Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s.

Një zonë prej 2900 ha, përfshirë peizazhe me rëndësi kulturore dhe vendosjet arkeologjike, u përfshi në në UNESCO. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme