Llamba elektrike nisi suksesin para 139 viteve

21 Tetor, 2018 - 9:06 am

​Shpikësi Thomas Edison më 21 tetor të vitit 1879, filloi provat për një tjetër lloj filamenti për llambën e tij elektrike ndriçuese.

Llamba bëri dritë për 40 orë, duke shënuar eksperimentin e parë të suksesshëm të Edisonit me llambën elektrike, pas mijëra dështimesh në provat laboratorike në Menlo Park të New Jersey-it.

Çelësi i suksesit ishte përdorimi i një filamenti prej karboni të hollë sa një fije floku, e cila ndriçonte por nuk shkrihej nga nxehtësia që krijonte elektriciteti, transmeton kd.
Ai deklaroi para punonjësve të laboratorit se “Nëse arrita ta bëj të ndriçojë për 40 orë, mund ta bëj të ndriçojë për 100 orë”.

Në bazë të kësaj llambe, Edisoni filloi të punonte për ndërtimin e sistemit të parë të suksesshëm të ndriçimit, i cili pas disa kohësh do të furnizonte me energji 85 shtëpi që kompania e tij i kishte pajisur me qarqe elektrike dhe llamba ndriçimi në qytetin e New Yorkut./ KultPlus.com

Të ngjajshme