Lufta për të shpëtuar lumenjtë, edhe nëpërmjet filmit

11 Maj, 2018 - 3:00 pm

Mbrëmë Kino ABC ka mirëpritur premierën e filmit “Blue Heart”, filmi i cili dokumenton betejën për të shpëtuar “Zemrën e kaltër të Evropës”, shkruan KultPlus.

AlberinaHaxhijaj

Filmi “Blue Heart” dokumenton betejën për lumin më të madh në Evropë, Vjosa e Shqipërisë, përpjekjet për të shpëtuar Rreqebullin e rrezikuar të Ballkanit në Maqedoni dhe gratë e Krushqices, Bosnje dhe Herzegovinës, të cilët mbajnë një protestë 24-orëshe për një muaj, për të mbrojtur burimin e vetëm të ujit të freskët të komunitetit.

Mirëpo premiera e këtij filmi në Kino ABC, jo vetëm që solli një pasqyrim të asaj që po ndodh, e ka ndodhur, por vuri në pah edhe rreziqet që i kanosen natyrës, pikërisht përmes ndërtimit të hidrocentraleve nëpër lumenj.

Kështu me të përfunduar ky film u dëshmua përsëri se fuqia më e madhe e lumenjve është bashkimi i njerëzve dhe kulturave të ndryshme. Mirëpo shfaqja e tij ngjalli edhe debatin se çfarë po ndodh në Kosovë dhe cilat janë mundësitë alternative të energjisë, të cilat nuk e dëmtojnë natyrën, nuk shkelin ligjet juridike dhe nuk mohojnë të drejtat elementare të njerëzve, e ndër to është edhe qasja në ujë të pijshëm.

Prandaj, pasi filmi i cili dëshmonte se më shumë se 3,000 diga dhe diversione të hidrocentraleve janë të propozuara ose po ndërtohen në lumenjtë e fundit të Evropës në Ballkan dhe do të shkaktojnë dëme të pakthyeshme për lumenjtë, tema për kafshët e egra dhe komunitetet lokale, u hap edhe në diskutim me tre panelistët e ftuar, Fatos Lajci (ERA), Dajana Berisha (FIQ) dhe Behare Bajraktari (RTK).
Dajana Berisha tha se ky film përkundër që dokumenton një të vërtetë e cila nuk është e këndshme përmes pamjeve të bukura që shfaq është edhe shlodhëse.

“Duke e parë lumin Vjosa i cili gjarpëron dhe nuk ja ndien për asnjë lloj ministër apo ministre, por në atë qetësinë e vet e në një harmoni të madhe me natyrën vazhdon rrjedhën e tij. Duke parë pamjet e tjera të bukura, disi të mishëruara edhe në karakteret e grave të fshatit të cilat qohen me një energji dhe guxim alla grash ballkanase për të mbrojtur lumin, të bënë të ndjehesh mirë”, u shpreh ajo duke shtuar se pikërisht këto bukuri të cilat na i ka falur natyra ne po i lejojmë që të keqpërdoren dhe të shkatërrohen.

“Duhet të jemi të vetëdijshëm që nëse e shkatërrojmë këtë bukuri në vendet ku jetojmë po shkatërrojmë një pjesë tonën goxha të madhe shpirtërore e mendore. Po shkatërrojmë vetveten, komunitete dhe po krijojmë konflikte të panevojshëm e për një arsye e cila tashmë është shumë e qartë dhe fare banale, për shkak të disa ujqërve nëpër qeveritë respektive të këtyre vendeve të Ballkanit”, u shpreh ajo, duke treguar se zgjedhja më e mirë për energji nuk është përmes hidrocentraleve, mirëpo duke shfrytëzuar erën dhe diellin.

Në anën tjetër, Fatos Lajçi tregoi se si pasojë e hidrocentraleve dhe vendosjes së gypave nëpë lumenj, Kosova tashmë e ka humbur një lum.

“Një lum veçse ka vdekur dhe ai është Lumëbardhi i Decanit. Mirëpo ajo që duhet të theksojmë që prodhimi i energjisë prej hidrocentraleve sado që krijon energji, sasia e kësaj energjie është e vogël, ndërsa shkatërrimi shumë i madh. Ne po shkatërrojmë lumenjtë, shtretërit e tyre diçka që është e pariparueshme”, tha ai duke shtuar se nëse vazhdon vendosja e gypave, Kosova do të humb edhe lumenj të tjerë.

E sipas tij një fat i tillë mund ta pret edhe Lumëbardhin e Grykës së Rugovës, e tutje diskutoi edhe për kafshët, për ruajtjen e parqeve, e që po ashtu ndikojnë në mjedis.
Ndërsa gazetarja Behare Bajraktari theksoi se një problem i madh është mungesa e informimit dhe se pikërisht kësaj ajo i kushton vëmendje të veçantë. Ndërsa potencoi se dëmtimi i mjedisit është juridikisht i dënueshëm. Në Kosovë janë duke u ndërtuar përafërsisht rreth 11 hidrocentrale, ndërsa në Rajon rreth 38./KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme