Luvri nderon arkitektin e piramidës prej xhami

18 Maj, 2019 - 10:20 pm

Muzeu i Luvrit nderoi dje arkitektin e piramidës prej xhami në hyrje të Luvrit. Arkitekti I.M. Pei i cili vdiq këtë javë në moshën 102 vjeçare në banesën e tij në Nju Jork.

Dhjetëra punonjës të Luvrit ishin mbledhur nën piramidën që shërben si hyrja e muzeut të famshëm. Në shenjë nderimi për veprën e arkitektit ata duartrokitën për një minutë.

Piramida me lartësi 22 metra fillimisht hasi në rezistencë të fortë. Presidenti i atëhershëm francez, Francois Mitterrand, i cili ishte në përurimin e piramidës, u bë vetë objekt kritikash kur u zbulua vepra e re prej xhami. Presidenti Miterrand e kishte zgjedhur personalisht arkitektin me origjinë kineze I.M. Pei për të kryesuar punimet restauruese në një kohë që Luvri ishte në nevojë urgjente riparimesh, raporton VOA.

Shumë francezë ishin kundër ndryshimeve në Luvër, pasi e konsideronin të paprekshëm këtë simbol të kulturës kombëtare.

Por Luvri, ashtu si i gjithë Parisi dhe Franca e pranuan ndryshimin që sjell koha. Sot piramida prej xhami mirëpret miliona vizitorë që vijnë për të parë muzeun çdo vit. Pasi vizitorët futen në piramidë, ata zbresin shkallët për tek salla qendrore ku fillojnë vizitën në Luvër.

I.M.Pei është autor i një numër ndërtesash të famshme edhe këtu në Uashington. Ashtu si në Luvër, edhe këtu u desh pak kohë që qyteti të mësohej me krijimet e tij./KultPlus.com

Të ngjajshme