Madeleine e Kosovës flet për Madeleinin e Amerikës

12 Qershor, 2019 - 9:00 pm

Për dallim nga qytetarë të shumtë që sot po kanë mundësi të takojnë ish-sekretaren amerikane Madeleine Albright meqë po qëndron në Kosovën në 20 vjetorin e çlirimit, është një tjetër vajzë që mban po të njëjtin emër e që sot nuk arriti ta takojë, mirëpo deri tani dy herë e ka takuar.

Madeleine Albright Geci ka folur për Klan Kosova rreth ndjenjës që ndan emrin e njëjtë me “Zonjën e Rëndë”.

“Ndihem tepër krenare që përtërij një emër të një zonje të madhe si Madeleine Albright, ndihem e privilegjuar”.

“E mbaj me shumë krenari dhe ndihem e veçantë pasi ish-sekretarja Madeleine Albright është grua e fortë dhe kam lexuar shumë gjëra për personalitetin e saj, si një grua e fortë dhe besnike për vendin e vet dhe popullin tim”.

Madeleine kosovare ka folur edhe rreth takimit me zonjën amerikane.

“Madeleinen e kam takuar herën e parë në moshën 5 vjeçare, atëherë kam qenë e vogël që të dijë diçka për të pos pastaj kam lexuar dhe kam mësuar për të, herën e dytë e kam takuar në moshën 13 vjeçare”.

“Shpresoj që ta takoj sërish. Si të më ofrohet mundësia vendin e parë që do ta vizitojë është Amerika dhe atje do të kërkoj të takoj zonjën Albright”, deklaroi Madeleine Albright Geci.

E babai i vajzës Halil Geci ka treguar se pse ia la këtë emër vajzës.

“Madeleine më kujton kohën e luftës, ma kujton fjalimin e saj të fuqishëm për ndalimin e gjenocidit serb, sa herë që e thërras rrëqethem pasi me kthen në kohën tonë të vështirë. Kur e thërras më duket se e thërras lirinë”.

Madeleine e pyetur nëse do të ndjek rrugën e “Zonjës së Rëndë” sa i përket politikës tregoi se është duke studiuar gjuhën angleze dhe se nuk ka dëshirë t’i hyjë politikës.

Të ngjajshme