Makina e Bekim Fehmiut që gjendet në Prizren, ka mbetur në mëshirën e fatit

15 Qershor, 2021 - 4:04 pm

Burim Myftiu nga Prizreni vite më parë pati zbuluar se posedon makinën PEZHO 404 të cilën më 1968, aktori kosovarë me famë botërore, Bekim Fehmiu nga honorari i serialit “Tv Odiseja” ia kishte blerë nënës së vet Hedijes, që të mund ta vizitojë Bekimin kudo që ai xhiron, përcjellë KultPlus.

Myftiu thotë se makinën që nga vëllezërit e Bekimit e ka marrë më 1996 e ka shfrytëzuar disa vite por që nga përfundimi i luftës, ajo është në gjendje të mjerueshme dhe kërkon riparim të jashtëm. Makina gjendet në oborrin e shtëpisë së tij në Prizren dhe shpreh gatishmërinë që atë dhuroj për ekspozim në ndonjë hapësirë në qendër të Prizrenit apo në kuadër të Muzeut kushtuar Bekim Fehmiut, që do të duhej të hapej në këtë qytet, si shenjë kujtimi të aktorit të madh.

“Për riparimin do të duhej të shfaq interesim Komuna e Prizrenit apo edhe firmat private e individ. Të interesuarit le të lajmërohen personalisht mua në Messenger”, pati shkruar Myftiu me shpresë se makina do të merrte trajtimin e duhur e do të zinte vendin e merituar.

Edhe sot, Burim Myftiu ka konfirmuar për KultPlus se situata është e njëjtë edhe më tej, dhe se për ruajtjen dhe investimin në këtë makinë të aktorit të madh Bekim Fehmiu, është duke pritur nga institucionet kulturore në nivel qëndror, por edhe nga Komuna e Prizrenit.

Por, kjo makinë e Bekimit deri më tani ka mbetur në mëshirën e kohës. Nga Komuna e Prizrenit është premtuar se makina do të riparohet e do të ekspozohet në qendër të qytetit, por kjo ende nuk ka ndodhur! / KultPlus.com

Të ngjajshme