“Manastiri i Shën Gjon Vladimirit” në Muzeun Historik

22 Janar, 2019 - 10:08 pm

Muzeu Historik Kombëtar, më  24 janar me fillim nga ora 12:00, organizon veprimtarinë “Një ditë me kuratorin” me temë: “Manastiri i Shën Gjon Vladimirit dhe të dhënat epigrafike të tij”.

Një kënd i posaçëm në Pavijonin e Mesjetës Shqiptare në Muzeun Historik Kombëtar i është kushtuar Portalit të Kishës së Shën Gjon Vladimirit, Elbasan.

Manastiri ishte qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe. Aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të njohura si, Dhaskal Todri dhe Imzot Visarion Xhuvani. Në murin jugor të manastirit të Gjon Vladimirit gjendet stema e Karl Topisë e gdhendur nga Dhimitër Shpati.

Kjo veprimtari synon bashkëpunimin me shkollat e mesme dhe të larta. Ky bashkëpunim do të sjelli më afër objektin me nxënësit apo studentët.

Kuratorët e Muzeut Historik Kombëtar, organizojnë orë të hapura, ku i flasin brezit të ri për punën e tyre të përditshme dhe ndajnë njohuritë e tyre mbi një temë të caktuar.

“Një ditë me kuratorin!” synon të përforcojë bashkëpunimin e muzeut me publikun e gjerë, të rrisë ndjeshmërinë e brezave të rinj ndaj objekteve muzeore, të evidentojë rolin e kuratorit të një muzeu, si dhe të inkurajojë dialogun me qytetarët mbi historinë e kulturën.

Veprimtaria do të zhvillohet në datën 24 janar 2019 ora 12.00, pranë Pavijonit të Mesjetës Shqiptare të Muzeut Historik Kombëtar./Insajderi.com/ KultPlus.com

Të ngjajshme