Margariti: Asnjë shkelje ligji në marrëveshjen për Butrintin, po hidhet baltë për të bërë politikë

15 Korrik, 2022 - 1:30 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot në Kuvend se në rastin e Butrintit nuk po japim asnjë gjë me koncesion, nuk po shesim dhe nuk po dhurojmë asnjë gjë, por po ftojmë palë të tjera që të menaxhojmë së bashku një të mirë në emër të shtetit.

Gjatë diskutimit në Kuvend të dekretit të Presidentit për kthimin e ligjit “Për miratimin e marrëveshjes për administrimin e nënzonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, lidhur ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, Margariti tha se “është e turpshme ajo që dëgjojmë nga opozita vetëm për të bërë politikë”.

Sipas saj, “çështja e Butrintit është kthyer në çështje të një politike shterpë, ndërsa opozita dhe mazhoranca duhej të kishin qenë bashkë kur flitet për kulturën dhe trashëgiminë kulturore”.

Margariti tha se po hidhet baltë për të bërë opozitë.

“Kishim sigurinë se Presidenti në ikje do të këndonte edhe këngën e fundit të mjellmës.
Hamendësojnë jo vetëm ngritje të kullave, por filluam të dëgjojmë për kazino dhe diskoteka”, tha ajo.

Margariti shtoi se “ne kemi një pasuri kombëtare që duhet ta mbrojmë, rigjallërojmë dhe rivitalizojmë dhe t’i kthejmë dinjitetin”.

“Ne propozojmë mënyrën më të mirë të administrimit për të rimëkëmbur Butrintin. Ne ftojmë sektorin privat që të jetë pjesë e kësaj sfide. Nuk kemi shpikur ndonjë gjë që nuk e kemi dëgjuar më parë. Këto bota i ka krijuar vite më parë”, tha ajo.

Margariti shtoi se “nëse nuk funksionon ne kemi ngritur çdo mekanizëm për të ekuilibruar çdo ndërhyrje në çdo moment nëse pikat e kësaj marrëveshje shkelen”.

“Privati është një fondacion i nderuar që kishte krijuar shumë projekte të mira si me ne dhe me opozitën dhe e ka bërë këtë sepse ka parë përtej politikës. Ne nuk kemi frikë nga bashkëpunimi me privatin, ndërsa pretendimet e presidentin për shkelje të ligjeve janë akoma më absurde. Nuk ka asnjë shkelje dhe asnjë kundërshti në ligjin e 2018-ës për trashëgiminë kulturore dhe muzetë”, tha ajo. / atsh / KultPlus.com

Të ngjajshme