Margariti: Butrinti nuk jepet me koncesion, s’ka asnjë tjetërsim të pasurisë kombëtare 

13 Maj, 2022 - 2:57 pm

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti deklaroi sot se “për Butrintin nuk ka asnjë marrëveshje sekrete, nuk po jepet me koncesion dhe nuk ka asnjë tjetërsim të pasurisë kombëtare”.

Në fjalën e saj në Komisionin për Çështjet ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut Margariti tha se “kjo marrëveshje administrimi nuk ndryshon në zinxhirin e shqyrtimeve dhe miratimeve të deritanishme të projekteve që do të zbatohen në parkun e Butrintit”.

“Marrëveshja për Menaxhimin e Butrintit nuk është një koncesion, nuk ka në themel të funksionimit të tij fitimin, por është një fondacion jo fitimprurës pra ka si qëllim të vetin mirëmenaxhimin e aseteve të parkut kombëtar të Butrintit, që është një pasuri botërore”, theksoi Margariti.

Margariti u shpreh se “projektligji për miratimin e “Marrëveshjes për administrimin e nën zonave të trashëgimisë kulturore dhe peizazhit kulturor, pjesë e Parkut Kombëtar të Butrintit, ndërmjet Ministrisë së Kulturës dhe Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit”, ka qenë një proces i gjatë, transparent, i hapur gjithëpërfshirës, brenda të gjithë kuadrit të nevojshëm ligjor shqiptar dhe organizmave të tjerë ndërkombëtarë ku aderon shteti shqiptar”.

Margariti tha se, falë ndjekjes së këtij procesi të tillë vijmë para jush me një produkt final, prej të cilit përfitues është shteti shqiptar.

Sipas ministres, kjo është formë menaxhimi e suksesshme e njohur edhe ne site të tjera, të trashëgimisë botërore, ku ne jemi mbështetur.

“Ky projektligj është konsultuar me UNESCO-n duke qenë se modeli i propozuar ka qenë pjesë e planit të menaxhimit të integruar. Pra qe me planin e menaxhimit është specifikuar mënyra e menaxhimit të sitit në vazhdimësi dhe kjo konsulencë ka ndodhur me hartimin e planit të menaxhimit me UNESCO-n, në organet konsultuese”, nënvizoi Margariti.

Ministrja Margariti bëri të ditur se lidhja e marrëveshjes së administrimit synon konservimin, mbrojtjen dhe rritjen e vlerave të trashëgimisë kulturore të nënzonës së trashëgimisë dhe peizazhit kulturor të Parkut Kombëtar të Butrintit.

Duke sqaruar se përse nuk ka pasur garë në përzgjedhjen e subjektit, Margariti tha se “menaxhimi i kalon Fondacionit për Menaxhimin e Butrintit, i cili është subjekt i themeluar nga vetë Ministria e Kulturës me një partner strategjik, pra nuk mund të ketë një garë. Dëshiroj të sqaroj gjithashtu se AADF nuk është ekskluziv në pjesëmarrje në bord. Me këtë model jofitimprurës synohet të hiqen sa më shumë partnerë strategjikë që të përmbushin kriteret. Mund të kemi në vazhdimësi partnerë strategjikë qe bëhen pjesë e fondacionit, dhe jo të vendosen në garë me njëri- tjetrin, por të vlerësohet mënyra e integrimit si e fondeve edhe rolit që mund të kenë partnerë të ndryshëm, pra fondacione të tjera që fillojnë e shtohen në Fondacionin e Menaxhimit të Butrintit dhe patjetër që bëhen edhe pjesë e bordit të vendimmarrjes së këtij fondacioni”. / KultPlus.com

Të fundit

Të ngjajshme